Ukrainë, zmbrapset një sulm “masiv” rus me dronë
Mbrojtja ajrore në kryeqytetin ukrainas, Kiev...

Mbrojtja ajrore në kryeqytetin ukrainas, Kiev, ka zmbrapsur një sulm “masiv” rus me dronë gjatë natës.
Guvernatori rajonal i Kievit tha se ushtria ukrainase ka shkatërruar 32 nga 35 dronë të prodhimit iranian.
“Edhe një sulm masiv ndaj kryeqytetit. Këtë herë armiku përdori dronë, që sipas informacioneve preliminare, ishin të llojit Shahed”, shkroi në Telegram guvernatori Sehiy Popko.
Ai shtoi se ky ishte sulmi i parë ndaj Kievit në 18 ditët e fundit.
Ende nuk ka informacione për viktima apo dëme.
Në ndërkohë, Zyra e komisionarit të lartë për të Drejtat e Njeriut në Kombet e Bashkuara tha se 9.083 civilë ukrainas janë vrarë që nga nisja e pushtimit të paprovokuar rus në shkurtin e kaluar deri më 18 qershor të këtij viti. Sipas të dhënave të OKB-së, 15.779 civilë janë plagosur.
