20 qershori, dita botërore e refugjatëve
Bota shënon 20 qershorin, Ditën Botërore të Refugjatëve....

Bota shënon 20 qershorin, Ditën Botërore të Refugjatëve, një ditë ndërkombëtare e caktuar nga Kombet e Bashkuara për të mbështetur refugjatët anembanë globit.
Çdo vit më 20 qershor nderohet forca dhe guximi i njerëzve që janë detyruar të largohen nga vendi i tyre për t’i shpëtuar konfliktit ose persekutimit.
Dita Botërore e Refugjatëve është një rast për të krijuar ndjeshmëri dhe mirëkuptim për gjendjen e vështirë në të cilën gjenden si dhe për të vlerësuar këmbënguljen e tyre në rindërtimin e jetës, dikund tjetër.
Sipas të dhënave të OKB-së, çdo minutë 20 njerëz lënë gjithçka pas për t’i shpëtuar luftës, persekutimit apo terrorit. Ekzistojnë disa lloje të personave të zhvendosur me forcë: refugjatët, azilkërkuesit, të zhvendosurit brenda vendit, të kthyerit etj.
Sipas OKB-së me termin refugjat nënkuptojmë dikë që u largua nga shtëpia dhe vendi i tij/saj për shkak të “frikës prej persekutimit për shkak të racës, fesë, kombësisë, anëtarësimit në një grup të caktuar shoqëror ose opinionit politik”. Shumë refugjatë janë në mërgim për t’i shpëtuar efekteve të fatkeqësive natyrore ose të shkaktuara nga njeriu.
