7 sulme në Bagdad, 37 të vdekur, dhjetëra të lënduar
Një seri e sulmeve me bomba në Bagdad ka lënë të vdekur së paku 37 persona dhe shumë të tjerë të lënduar...

Dy sulmet më vdekjeprurëse kanë ndodhur në lagjen Jisr Dijala, ku ka shpërthyer një makinë bombë në një zonë komerciale në afërsi të restoranteve dhe dyqaneve, dhe shpërthimi i dytë menjëherë pas disa minutave. Policia dhe autoritetet spitalore kanë konfirmuar numrin e viktimave në këtë vend, i cili është 24, ndërsa janë lënduar 20 të tjerë.
"Vetura, e cila u parkua këtu, shpërtheu. Erdhi një njeri e parkoi veturën e tij në këtë vend dhe shkoi. Pas disa minutave ajo shpërtheu, ndërsa një grup i të rinjve, të cilët luanin futboll aty afër, erdhën të shohin çka ndodhi, në atë minutë ndodhi edhe shpërthimi i dytë”- u shpreh një banor.
Pesë shpërthime të tjera janë raportuar në lagjet veriore dhe jugore të kryeqytetit irakian. Në provincën perëndimore Anbar, forcat irakiane kanë vazhduar përpjekjet për të dëbuar militantët e “Shtetit Islamik” nga qyteti Al-Bagdadi. (Leunora Kaliqi, TVM2)
