Botë

BE-ja, ShBA-të dhe NATO, të angazhuara për uljen e tensioneve Kosovë-Serbi

20.06.2023 14:24

Emisari i BE-së Lajçak ka udhëtuar në Uashington së bashku me emisarin amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar...

Emisari i BE-së Lajçak ka udhëtuar në Uashington së bashku me emisarin amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, për të shprehur në një diskutim publik angazhimin për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, në kohën kur dialogu është një prej tri kërkesave të tyre kryesore për të dyja palët. Në njoftimin e Këshillit Atlantik thuhet se progresi i fundit në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës përmes dialogut Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja kërcënohet nga përshkallëzimi i tensioneve në veri të Kosovës. Ndërsa, ShBA-të dhe BE-ja synojnë të ndihmojnë në zbutjen e tensioneve dhe të gjejnë zgjidhje të mundshme që Serbia dhe Kosova të krijojnë marrëdhënie më të qëndrueshme. 
 
Përshkallëzimi i tensioneve mes Kosovës e Serbisë ka qenë edhe në fokusin e takimit të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz. Angazhimi i NATO-s ndaj mandatit të OKB-së është i pathyeshëm, ka deklaruar shefi NATO-s.
 
“Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të siguruar që mjedisi atje të jetë i sigurt dhe do t’u japim të gjithë të përfshirëve të njëjtin nivel sigurie. Nëse është e nevojshme do të ndërmarrim hapa të mëtejshëm, por do te vazhdojmë dialogun e nisur nga BE-ja.”, - deklaroi sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg. 
 
Ndërkohë, Brukseli është në pritje të konfirmimit nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq për takimin e thirrur nga Borrell, për të gjetur një zgjidhje për krizën e fundit në veri të Kosovës dhe të diskutojnë zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.
 
GYLTENE SINANI