Botë
Dita Botërore e Refugjatëve, numri i refugjatëve po rritet
20.06.2023 14:33
Situata e refugjatëve në botë është e trishtueshme dhe sfiduese, me rritjen e numrit të tyre në vazhdimësi....

Situata e refugjatëve në botë është e trishtueshme dhe sfiduese, me rritjen e numrit të tyre në vazhdimësi. Konfliktet në Ukrainë, Siri dhe Afganistan janë shkaktarë kryesorë të lëvizjes masive të refugjatëve dhe përfaqësojnë një pjesë të madhe të numrit të përgjithshëm të refugjatëve. Me një rekord famëkeq prej mbi 100 milionë refugjatësh, sot festohet Dita Botërore e Refugjatëve. Për Monica Sandri, përfaqësuese e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët - UNHCR, ky është një realitet i trishtuar i shkaktuar nga konfliktet gjithnjë e më të shpeshta në botë.
“Trendi i personave të zhvendosur me forcë vazhdon të rritet. Trajektorja është shumë e qartë, çdo vit shifrat janë më të mëdha. Në vitin 2022 u vendos rekordi, fatkeqësisht tejkaluam shifrën e më shumë se 100 milionë të shpërngulurve me forcë dhe tashmë në vitin 2023 arritëm në 110 milionë. Ka shumë konflikte në botë dhe për fat të keq shumë prej konflikteve, veçanërisht tre konflikte mendohet se janë 52 për qind e refugjatëve. Nëse konfliktet si ato në Ukrainë, Siri dhe Afganistan do të zgjidheshin, do të shihnim 52 për qind më pak refugjatë në botë.”, - deklaroi përfaqësuesja e Komisionarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për refugjatët – UNHCR, Monica Sandri.
Para pushtimt të Rusisë shifrat e refugjatëve ukrainas ishin 27 mijë, ndërsa tani është rritur në 5.7 milionë refugjatë, një shifër historike që nga Lufta e Dytë Botërore. Sandri tha se në RMV nuk ka shumë azilkërkues, as refugjatë. Shumë njerëz vijnë në Maqedoninë e Veriut, por më pas kalojnë nëpër të për të shkuar në ndonjë vend tjetër. Sistemet e azilkërkuesve dhe integrimi i refugjatëve janë faktorë të rëndësishëm në përmirësimin e mbrojtjes së refugjatëve. Një sistem i azilkërkuesve sipas standardeve ndërkombëtare është thelbësor për të siguruar që refugjatët të kenë mundësi të paraqesin kërkesat e tyre për azil dhe të mbrohen në mënyrë adekuate. Integrimi i refugjatëve është gjithashtu i rëndësishëm, pasi jep mundësinë që ata të kenë një status ligjor dhe të jenë në gjendje të jetojnë, punojnë dhe kontribuojnë në shoqërinë e vendit që vendosin të jetojnë, tha Monica Sandri, përfaqësuese e Komisionarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët – UNHCR.
SEDAT SELIMI
