Botë

Rusia sulmon qytetet ukrainase, OKB-ja dërgon ndihma në Khersonin e përmbytur

20.06.2023 14:40

Vazhdojnë bombardimet ruse mbi qytetet ukrainase....

Vazhdojnë bombardimet ruse mbi qytetet ukrainase. Në rajonin Somy pas 16 sulmeve me dron, jetën e kanë humbur dy civilë dhe pesë persona të tjerë janë plagosur, në mesin e tyre është një fëmijë. Gjithashtu, në  qytetin Krasnopil gjatë një sulmi, dy persona të tjerë, përfshirë një fëmijë janë plagosur. As qyteti Lviv nuk u ka shpëtuar bombardimeve ruse.
 
“Patëm një natë shumë shqetësuese në Lviv. Një nga objektet kritike të infrastrukturës u sulmua nga dronët rusë. Gjatë gjithë natës ka pas bombardime, por fatmirësisht nuk ka viktima dhe as të plagosur, por infrastruktura e këtij qyteti është tërësisht e shkatërruar.”, - deklaroi kryebashkiaku i Lviv, Andriy Sadovyi.
 
Gjendja më kritike mbetet në rajonin e Khersonit. Pas bombardimit të digës, e cila shkaktoi përmbytje, qasja për ndihmë emergjente është e vështirë. OKB-ja, ka dërguar ndihmat e para.
 
“Kemi dorëzuar ujë, komplete higjienike, shtretër dhe materiale strehimi, si dhe ushqim për një muaj  për të gjithë njerëzit në Kherson. Gjithashtu, u dorëzuan mjaft ilaçe dhe pajisje mjekësore për të trajtuar të gjithë popullsinë për tre muaj. Në rajonin e Dnipro-s, ne dërguam tetë kamionë me ndihmë humanitare për të paktën 4.000 njerëz në dy komunitete në jug, ku 40.000 njerëz, shumë prej tyre të moshuar, kanë qasje jashtëzakonisht të kufizuar në ujë për shkak të shkatërrimit të Digës.”, - theksoi zëdhënësi për sekretarin e përgjithshëm,OKB, Farhan Haq.
 
“Ne po përdorim varka dhe makina amfibe për të mbështetur komunitetet e vogla këtu, komunitetet me 30, 40 persona, ata kanë ndikuar shumë keq nga shkatërrimet e shkaktuara nga shkatërrimi i digës së Kakhovka. Banorët nuk kanë ujë në shtëpi, nuk kanë ushqim, nuk kanë rrymë, nuk kanë gaz. Jemi këtu për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të mbështetur këtë popull.", - u shpreh Saviano Abreu nga zyra për Koordinimin e Çështjeve Humanitare. 
 
Zyra e komisionarit të lartë për të Drejtat e Njeriut në Kombet e Bashkuara tha se 9.083 civilë ukrainas janë vrarë dhe 15.779 civilë janë plagosur që nga nisja e pushtimit të paprovokuar rus në shkurtin e kaluar deri në muajin qershor të këtij viti. Raporti i OKB-së njofton se vetëm gjatë këtij muaji, 112 civilë  janë vrarë dhe 445 të tjerë të plagosur.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU