Maqedoni

Shpërbërja e Këshilli Gjyqësor?! Kovaçevski: Nuk është biseduar në detaje

20.06.2023 15:13

Sa i përket propozimit të Ministrit të Drejtësisë Krenar Lloga, se njëra nga zgjidhjet për të dalë nga situata...

Sa i përket propozimit të Ministrit të Drejtësisë Krenar Lloga, se njëra nga zgjidhjet për të dalë nga situata e krijuar në Gjyqësor është shpërbërja e Këshillit Gjyqësor, kryeministri Dimitar Kovaçevski njofton se për këtë çështje nuk është biseduar akoma në detaje. Sipas tij, janë Ministria Resore dhe Kuvendi, i cili ka zgjedhur një pjesë të anëtarëve, të gjejnë zgjidhjen. Vlerëson se nevojitet  një rishikim i disa institucioneve, proceseve dhe ligjeve në fushën e drejtësisë, sepse këtë e kanë treguar të gjitha analizat dhe deklaratat e diplomatëve.
 
“Ne në detaje nuk kemi biseduar me ministrin Lloga, është resor i tij. Por, dikasteri i tij është konceptual, sepse në fund të fundit Kuvendi i shtetit merr vendimin për dispozitat ligjore në gjyqësor dhe organet që ai zgjedh, pasi Qeveria nuk zgjedh Këshillin Gjyqësor, zgjedh Kuvendi. Nuk mund të thuash se gjithçka nuk është mirë, ata duhet të krijojnë një sistem në të cilin do të jetë e mundur të thuhet saktësisht se çfarë është e mirë për t'u lavdëruar, çfarë mund të bëhet për ta përmirësuar atë dhe çfarë në të vërtetë nuk ia vlen që të mund të refuzohet.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
VMRO-DPMNE: Këshilli Gjyqësor të japë dorëheqje
 
Pas deklaratës së djeshme të kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, se është i gatshëm të mbështesë çdo propozim që është në pajtueshmëri me Ligjin përfshi edhe propozimin për shpërbërjen e Këshillit Gjyqësorë, nga kjo parti sot kërkojnë që Këshilli Gjyqësor të japë dorëheqje, ndërsa Qeveria të thirret në përgjegjësi. Për mosfunksionalitetin e Gjyqësorit edhe më herët kanë alarmuar ndërkombëtarët dhe për këtë ka vetëm një fajtor, LSDM dhe BDI, theksojnë nga partia e Mickoskit.
 
“Përgjegjësi duhet të ketë. Për këtë së pari kërkojmë që në seancën e parë kuvendore, në rend dite të jetë pika për "Informatat për gjendjen në Këshillin Gjyqësor, dorëheqjen e Këshillit Gjyqësor në tërësi dhe përgjegjësi nga Qeveria. Këto janë probleme që realisht e mundojnë vendin. Partizimi dhe primitivizmi i LSD-së dhe BDI-së patjetër të ndërpriten. Pas alarmimit të ndërkombëtarëve për gjendjen në Gjyqësor, Qeveria nuk di si të dalë nga situata që vet e krijoi.”, - theksoi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanovska.
 
Propozimi i ministrit Lloga erdhi pas raportit të OSBE-së, i cili konstatoi se Gjykatësit kanë presion prej eprorëve të tyre e sidomos nga Këshilli Gjyqësor. Lloga, nga ana tjetër, dje lidhur me mundësinë e shpërbërjes së Këshillit Gjyqësor tha se pas bisedave faktorët politik do ta informojë opinionin për hapat e mëtutjeshëm.
 
FLORIJE KAMBERI