Prishtinë, riatdhesohen emigrantët e parë

25.02.2015 15:44

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ka filluar kthimi i personave të riatdhesuar, të cilët kanë migruar ilegalisht në vendet e Bashkimit Evropian...

Rreth 100 persona janë kthyer nga Hungaria, Gjermania, Austria, Suedia dhe Finlanda të shoqëruar nga dhjetëra policë civilë hungarezë, psikologë, si dhe ekipe mjekësore. Të riatdhesuarit nuk donin të prononcoheshin për kamerat, madje shumë prej tyre mbulonin edhe fytyrat.

“Vijmë nga Dyseldorfi, jemi shumë të lodhur, ndaj s’duam të flasim”- deklaroi një emigranti nga Kosova.

Asnjë zyrtar shtetëror në Aeroportin e Prishtinës nuk i priti   qytetarët e kthyer. E gatshme për deklarata nga autoritetet ishte vetëm zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara.

“Sot kemi pasur një udhëtim “charter”, që ka ardhur nga Budapesti me 73 udhëtarë gjithsej”- tha zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë njoftuar se kthimi i emigrantëve që kanë ikur ilegalisht do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme. Qeveria e Kosovës është duke punuar që kthimi i kosovarëve të ndodhë gradualisht dhe nën menaxhim institucional, kurse qytetarëve u bëhet thirrje që të mos marrin rrugën e emigrimit ilegal.

Sipas informacioneve zyrtare të Qeverisë së Kosovës, shumica e emigrantëve kosovarë, që ndodhen në Evropë, do të kthehen përmes Aeroportit të Budapestit, ndërsa më vonë pritet që kthimi të bëhet edhe me autobusë. Shpenzimet e udhëtimit për kthimin e emigrantëve, sipas konventave ndërkombëtare, i mbulojnë shtetet përkatëse që i largojnë emigrantët. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)