Botë
Kampi i refugjatëve në Durrës, policia përplaset me iranianët
20.06.2023 16:33
Policia e Shtetit ndërhyri për herë të parë, në ambientet e brendshme të kampit në Manëz të Durrësit, Ashraf-3...

Policia e shtetit ndërhyri për herë të parë në ambientet e brendshme të kampit në Manëz të Durrësit, Ashraf-3, vendqëndrimin e muxhahedinëve iranianë në Shqipëri. Kontrolli, mëngjesin e kësaj të marte në kampin e Manzës, në një territor shqiptar, u bë me urdhër të SPAK. Iranianët që kanë ardhur në Shqipëri prej vitit 2014 mbi bazën e një marrëveshjeje vetëm për qëllime humanitare, që ndalon mes të tjerash aktivitetin politik, akuzohen se e kanë shkelur këto angazhime dhe kanë thyer marrëveshjen, ndaj shteti shqiptar ka reaguar.
Dyshohet se brenda kampit të MEK janë gjetur disa serverë nëpërmjet të të cilave hetuesit dyshojnë se janë hakeruar institucione të huaja.
Por, aksioni i policisë hasi në rezistencën e muxhahedinëve, të cilët kundërshtuan forcat blu në zbatimin e ligjit, madje masivisht në protestë arritën të largojnë nga kampi efektivët. Në mesin e këtij tensioni, ngritën pretendimet se policia ka vrarë një anëtar të komunitetit të tyre. Kampi hermetik që rrallëherë i ka lejuar mediat shqiptare të depërtojnë brenda tij, këtë të martë, ftoi gazetarët në një ambient spitalor brenda rrethimit, duke treguar para kamerave trupin e një personi të pajetë.
Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi tha se ndërhyrja e Policisë së shtetit ka qenë konform ligjit dhe se personi i vdekur në ambientin spitalor brenda kampit, nuk ka humbur jetën gjatë operacionit të policisë. Ka dyshime se burri rreth 65 vjeç, të ketë ndërruar jetë nga arresti kardiak. Mikpritja e afro 3 mijë anëtarëve të opozitës iraniane ishte një nga arsyet përse Shqipëria u sulmua disa herë nga hakerët e regjimit iranian në vitin 2022, që arriti deri në vendimin e Qeverisë për të prishur marrëdhëniet diplomatike me këtë shtet.
LULJETA NDOKA
