Maqedoni
Radev: Në mungesë të reformave, Shkupi lobon në BE
20.06.2023 16:55
Presidenti bullgar, Rumen Radev, akuzon Shkupin zyrtar se për të mbuluar mungesën e reformave...

Presidenti bullgar, Rumen Radev, akuzon Shkupin zyrtar se për të mbuluar mungesën e reformave, lobon në vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Kjo deklaratë e Radevit vjen pas rezolutës së miratuar nga Bundestagu gjerman për njohjen e kulturës, identitetit dhe gjuhës maqedonase, por edhe në njoftimet se rezoluta të ngjashme do të pasojnë në të ardhmen nga vende të tjera me ndikim. Ai thotë se autoritet po i kthehen praktikës së vjetër që është zbatuar para miratimit të kornizës negociuese për të mbuluar shkeljet e të drejtave të njeriut në Maqedoninë e Veriut.
“Shkupi duhet të mësojë leksionin. Shoh se po i kthehen rrugës së “shkelur” që kanë ndjekur deri vitin e kaluar deri në miratimin e kornizës negociuese për të lobuar në kryeqytetet evropiane, në institucionet evropiane dhe me atë lobim të mbulojnë shkeljen e të drejtave të njeriut në Maqedoni, mungesën e reformave dhe gatishmërisë për fillimin e negociatave për anëtarësim. Kjo nuk është mënyra e duhur.”, - deklaroi presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev.
Kovaçevski porosi Radevit: Për ne flet KE-ja, merru me reformat në Bullgari
Kryeministri Dimitar Kovaçevski, thotë se nuk e ka dëgjuar deklaratën, por për reformat në Maqedoni flasin raportet e Komisionit Evropian. Ndërsa, presidenti bullgar e porositi që të merret me reformat në vendin e tij.
“Unë nuk e kam parë deklaratën dhe nuk kam çfarë të komentoj. Maqedonia ka qëndrime shumë të qarta, jo vetëm brenda BE-së, por edhe brenda NATO-s. Ne jemi një vend që e kemi harmonizuar 100 për qind politikën e tij të jashtme me BE-në, vend i barabartë me të tjerët merr vendime në NATO, përfshirë edhe Bullgarinë. Çdo vit kemi raporte evropiane për ecurinë e reformave, ndaj mendoj se presidenti i një vendi fqinj duhet të merret më shumë me reformat në vendin e tij.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Të premten, Bundestagu gjerman votoi rezolutën që mbështet identitetin, gjuhën dhe kulturën maqedonase në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE, në të cilën, ndër të tjera, i bën thirrje Bullgarisë që të përmbahet nga vendosja e kushteve shtesë.
SANIJE DURAKU
