Maqedoni
Legalizimi, Halimi shpjegon ndryshimet ligjore
25.02.2015 15:45
Të gjitha objektet e ndërtuara pa leje në afërsi të rrugëve rajonale, lokale dhe magjistrale tani e tutje do të mund të legalizohen...

Kjo parashikohet me ndryshimet e fundit në Ligjin për Legalizim të Objekteve pa Leje. Legalizimin e objekteve të kategorisë së parë, siç janë institucionet me interes publik dhe shoqëror, do ta bëjë Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, ndërsa për shtëpitë legalizimi do të bëhet në komuna.
“Ne edhe atë brezin mbrojtës tash e zvogëluam, për shkak të gjendjes faktike në terren. D.m.th. do të mund të legalizohen objektet në rrugët regjionale, të cilat janë të ndërtuara deri në 5 metra afër rrugës regjionale, kështu që do të jetë një mekanizëm, një moment ku për shkak të legalizim të këtyre objekteve që edhe në institucionet qendrore edhe institucionet lokale të vendosen ato muret mbrojtëse për mbrojtjen nga zërat e ndryshëm, për mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve të cilët banojnë afër atyre rrugëve”- deklaroi zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve, Nimetulla Halimi.
Përpos legalizimit të objekteve afër rrugëve dhe hekurudhave, ligji mundëson rindërtimin e objektit ekzistues, apo të ndërtimit të një objekti të ri pas përfshirjes të këtyre objekteve në planet detale urbanistike të komunës.
“Nëse janë objekte të kategorisë së dytë, komunat kanë për obligim që të bëjnë inkorporimin e objekteve me planet ekzistuese urbanistike dhe të gjitha ato objekte të cilat do të legalizohen dhe inkorporohen në planet detale urbanistike në nivel të komunave, ato objekte do të fitojnë karakterin e objekteve legale dhe do të kenë trajtim sikurse të gjitha objektet të cilat veç janë në pajtim me planet urbanistike, do të mund të investohet, ndërtohet dhe të krijohen kushte për zhvillim në ato rajone”- tha Halimi.
Në Maqedoni, procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje ka nisur në fillim të vitit 2011 ,por duke përjashtuar legalizimin e objekteve afër rrugëve dhe hekurudhave.
Deri më tani, në Shkup janë legalizuar mbi 38 mijë objekte, në Tetovë dhe Gostivar mbi 3 mijë objekte, ndërsa në Dibër dhe Strugë mbi 1 mijë objekte janë të ndërtuara pa leje.
MERAL ISMAILI
