Maqedoni
“Non-grata”, Aggeler: Merko është i pari, por presim të ketë më shumë
20.06.2023 20:40
Ambasadorja e ShBA-ve në Maqedoninë e Veriut, Angela Aggeler ka komentuar në “Twitter”...

Ambasadorja e ShBA-ve në Maqedoninë e Veriut, Angela Aggeler ka komentuar në “Twitter” vendimin për vendosjen e Ramiz Merkos në listën e zezë amerikane. Ajo ka shtuar se për këtë vit kjo është masa e parë e ndërmarrë ndaj një politikani në vend, por, pret të ketë më shumë.
“Populli në Maqedoninë e Veriut meriton integritet nga ana e zyrtarëve publik, dhe një sistem i cili do t’i mbajë ata përgjegjës. ShBA-ja do të vazhdojë të publikojë çdokënd – pa marrë parasysh pozitës apo prtisë politike, që minon sundimin e ligjit, duke kërcënuar progresin dhe stabilitetin e Maqedonisë së Veriut. Kryetari Merko është i pari për këtë vit, por presim të ketë më shumë. Korrupsioni ka pasoja.”, shkruan ambasadorja e SHBA-ve në RMV, Angela Aggeler.
Kanë reaguar edhe nga Lëvizja Besa.
“Presim që kjo listë ditëve në vijim të plotsohet me funksionarët që kanë keqpërdorur dhe keqpërdorin fondet vendore dhe të huaja në emër të “investimeve”. Funksionarë të përfshirë në krim dhe korrupsion, dhe funksionarë që përveç shantazhit, hajnisë dhe keqpërdorimeve, nuk bëjnë asgjë tjetër, ndërsa si rezultat kemi ikjen e përditshme të popullatës jo nga ky vend, por nga kjo Qeveri e korruptuar dhe inkriminuar.”, thonë nga Lëvizja Besa.
Reagim ka pasur edhe nga Aleanca për Shqiptarët.
“Ky përcaktim i sotëm është një sinjal që ka potencialin për të rikthyer shpresën në Maqedoninë e Veriut. Nga sot, SHBA-të dëshmuan se askush nuk është i paprekshëm. Përgëzojmë Ambasadoren Aggeler për konsistencën e saj dhe paralajmërimin se do të ketë përcaktime tjera gjatë këtij viti.”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.
Ndërkohë nga VMRO-DPMNE nëpërmjet një reagimi me shkrim thonë se pothuajse çdo raport nga Departamenti i Shtetit vëren korrupsionin dhe kriminalitetin nga zyrtarët qeveritarë.
