Maqedoni

Ndryshimet kushtetuese, Kovaçevski: Procesi nuk do të ndalet

21.06.2023 14:28

Vazhdojnë përplasjet mes dy partive më të mëdha maqedonase LSDM-VMRO-DPMNE...

Vazhdojnë përplasjet mes dy partive më të mëdha maqedonase LSDM-VMRO-DPMNE për ndryshimet kushtetuese. Kryeministri, Dimitar Kovaçevski, thotë se procesi nuk do të ndalet pavarësisht ndryshimit të qëndrimeve të VMRO-DPMNE-së, ndërsa siguron se në Kuvend ka një shumicë të madhe që është pro integrimit të vendit në BE. I pyetur nëse ka afat deri kur LSDM-ja do të presë VMRO-DPMNE-në, Kovaçevski tha se afatet janë të përcaktuara me ligj, ndërsa i ngelet VMRO-DPMNE-së të tregoj nëse janë për integrim evropian.
 
“Procesi nuk do të ndalet pavarësisht ndryshimit të qëndrimeve të VMRO-DPMNE-së, në mesin e 120 deputetëve në Kuvend ka një shumicë të madhe që është pro integrimit të vendit në BE. NË përputhje me afatet ligjore dhe vullnetin politik në Kuvend, kështu do të organizohet puna për miratimin e amendamenteve kushtetuese. Sa më shpejt të përfundojë ky proces, aq më mirë për shtetin, i cili nuk duhet të bllokohet nga brenda.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
VMRO: Përmirësoni gjendjen në institucione
 
Ndërsa, partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, si shkas për kritika sërish e mori rezolutën e Bundestagut gjerman. Sipas tyre në atë rezolutë “maqedonasit nuk përmenden askund”, por përkundrazi deputetët gjermanë kërkojnë nga LSDM të luftojë korrupsionin dhe krimin.
 
“Rezoluta me të cilën mburret LSD i tregon Qeverisë gjithçka që VMRO-DPMNE ka thënë me vite. LSD, në vend që të shtyjë ndryshimet kushtetuese nën diktat bullgar, duhet të fillojë të përmirësojë gjendjen në institucione, në periudhën që u ka mbetur.”, thuhet në komunikatën me shkrim të VMRO-DPMNE-së. 
 
Deputetët francez inkurajojnë miratimin
 
Rëndësia e vazhdimit të procesit integrues ka qenë edhe në fokusin e takimit të realizuar mes delegacionit të deputetëve francezë me deputetët, Ademi, Nikolloski dhe Kociq në Kuvend. Me ç’rast, deputetët kanë theksuar ndryshimet kushtetuese si sfidë e madhe, por skriningu me KE-në zhvillohet në nivel të kënaqshëm dhe s’ka asnjë devijim nga ajo që përshkruhet në kornizën e negociatave, pra me përfundimin e ndryshimeve kushtetuese duhet të fillojë hapja e kapitullit të parë.
 
SANIJE DURAKU