Maqedoni

Shkarkimi i drejtorit të Sh.F. “26 Korriku”, punonjësit e shkollës bojkotojnë punën

21.06.2023 14:52

Punonjësit në shkollën fillore “26 Korriku” po protestojnë kundër shkarkimit të drejtorit, Driton Ganiu...

Punonjësit në shkollën fillore “26 Korriku” po protestojnë kundër shkarkimit të drejtorit, Driton Ganiu, nga ana e Komunës së Shuto Orizares. Sipas tyre, ky veprim paraqet pazar politik, ndërsa kërkojnë që urgjentisht institucionet kompetente të shfuqizojnë këtë vendim. Ata shprehen se nuk do të kthehen në punë derisa të kthehet edhe drejtori.
 
“Kërkojmë të anulohet vendimi për shkarkimin e drejtorit, Driton Ganiu dhe ardhjen e drejtoreshës, Besare Sejdiu. Shpresoj të na dalin në ndihmë që të mund të kryejmë obligimet tona. Ne nuk kemi asgjë kundër askujt, por është problem i madh, është fundi i vitit, shkarkimi i një drejtori në këtë moment është shumë problem i madh.”, - deklaroi mësimdhënësja në Sh.F. “26 Korriku”, Semiha Raka.
 
Shaqiri: Do të ndërhyjmë, po pati parregullsi
 
Nga ana tjetër, ministri i Arsimit thotë se kompetencat për emërime dhe shkarkime në këtë rast i ka komuna e Shuto Orizares. Megjithatë, shprehet se MASh-i do të ndërhyjë në qoftë se vërtetohen shkelje ligjore.
 
“Kam marrë ingerencat e pjesës së komunës së Shuto Orizares në çështjen e emërimit të drejtorit për shkeljes që ka pasur në procedurën paraprake. Çështja e ingerencave është me periudhë kohore, pas marrjes së ingerencave dhe kalimit kthehen ingerencat në komunën përkatëse në të cilën graviton shkolla. Në qoftë se është bërë një tjetër emërim pas kthimit të ingerencave dhe vërtetohet nga ana e inspektoratit do të veprojë edhe në këtë rast, si në çdo rast tjetër.”, - theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri. 
 
Përndryshe, kryetari i komunës së Shuto Orizares, Kurto Dudush, ditë më parë ka postuar një fotografi me përfaqësues të ASh-së dhe BDI-së në këtë komunë, ku shkruan se palët janë dakorduar që në shkollën fillore “26 Korriku”, drejtori të emërohet nga radhët e ASh-së, kurse zëvendësdrejtori nga radhët e BDI-së.
 
ERSAN PAJAZITI