Botë

Diplomatët për Kosovën, Nuland kërkon të fillojë zbatimi i marrëveshjes së Ohrit

21.06.2023 15:07

Nënsekretarja amerikane e shtetit për Çështjet Politike, Victoria Nuland dhe emisari i Bashkimit Evropian...

Nënsekretarja amerikane e shtetit për Çështjet Politike, Victoria Nuland dhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak u bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i ulin tensionet dhe të nisin menjëherë zbatimin e marrëveshjes së fundit për rrugën drejt normalizimit. Kështu ka shkruar Nuland në Twiter pas takimit me Lajçak.
 
“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i ulin tensionet menjëherë dhe të fillojnë zbatimin e angazhimeve të Ohrit. Ne vazhdojmë ta mbështesim planin trepikësh të BE-së si mënyra më e mirë për zgjidhjen e krizës.”, shkroi Nuland.
 
Lajçak, takime të rëndësishme për situatën në Kosovë
 
Zyrtarja e lartë amerikane tha se e mbështesin planin trepikësh të Bashkimit Evropian për mënyrën se si duhet zgjidhur kriza në veri të Kosovës. Ndërsa Lajçak, nëpërmjet Twitter-it, ka bërë të ditur se ka zhvilluar takime të dobishme edhe me zëvendëskëshilltarin kryesor për sigurinë kombëtare të ShBA-së, Jon Finer dhe drejtoreshën e lartë për Evropën, Amanda Sloat, për situatën në veri të Kosovës.
 
"Takim shumë i dobishëm me zëvendëskëshilltarin kryesor për sigurinë kombëtare të ShBA-ve, Jon Finer dhe drejtoreshën e lartë për Evropën, Amanda Sloat, mbi situatën në veri të Kosovës, hapat e nevojshëm për de-përshkallëzimin dhe rrugën përpara në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja.", ka shkruar Lajçak në Twitter.
 
Ndërkohë, autoritetet kosovare vazhdojnë të kërkojnë lirimin e tre policëve të kidnapuar në Serbi. Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka postuar një video në të cilën përshkruhet se si ka ndodhur rrëmbimi i tre policëve kufitar të Kosovës nga forcat serbe. Ai ka thënë  se videoja tregon se si forcat serbe, me urdhër të drejtpërdrejtë të Vuçiqit, rrëmbyen tre policët e Policisë së Kosovës, thellë në territorin e Kosovës, një kilometër larg kufirit. Ministri Sveçla ka thënë se Serbia duhet të ndalojë dezinformimin dhe të lirojë  policët e Kosovës. Pamjet e vendit të ngjarjes dhe dëshmitë i ka publikuar mbrëma edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai, po ashtu ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të zyrtarëve policorë. Na ana tjetër, autoritetet serbe kanë kërkuar lirimin e serbëve të arrestuar nën dyshimin për dhunë nga policia e Kosovës, si dhe lejimin e futjes së mallrave serbe në Kosovë. 
 
GYLTENE SINANI