Maqedoni
Merko në listën e zezë të ShBA-ve, Aggeler: ShBA do të zgjerojnë listën
21.06.2023 15:23
Shtetet e Bashkuara të Amerikës në shqyrtim të emrave të tjerë, të cilët mund t’i shtohen listës së zezë...

Shtetet e Bashkuara të Amerikës në shqyrtim të emrave të tjerë, të cilët mund t’i shtohen listës së zezë, ka deklaruar ambasadorja, Angela Aggeler, pasi kryetari i komunës së Strugës Ramiz Merko dhe familja e tij e ngushtë u sanksionuan për hyrje në Amerikë, si pasojë e përfshirjes në korrupsion dhe ndikim në organet gjyqësore. Aggeler thotë se ShBA-të seriozisht po i qasen procesit.
“Këto vendime marrin kohë, janë ndjekur nga afër me shumë kujdes, ka edhe shumë emra të tjerë që po shqyrtohen dhe pasi që të shqyrtohen faktet, atëherë merret vendimi. Qeveria dhe Gjyqësori do të duhet të veprojnë më tej, megjithatë ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me ata që kanë vullnet të mirë për të shpirë deri në fund proceset.”, - deklaroi ambasadorja e ShBA-ve, Angela Aggeler.
Gërkovska kërkon veprimin e Gjyqësorit
Zëvendëskryeministrja për qeverisje të mirë, Sllavica Gërkovska pret reagim nga organet e Gjyqësorit.
“Porositë e qarta dhe hapat konkrete që ndërmarrin partnerët tanë ndërkombëtarë në betejën me korrupsionin, duhet që të kuptohen drejtë nga organet gjyqësore të vendit, pasi që roli i tyre bazik është të sigurojnë trajtim të barabartë të qytetarëve dhe të zbatojnë drejtësi joselektive.”, është shprehur zëvendëskryeministrja, Gërkovska.
Alternativa: Merko të dorëhiqet dhe hetohet
Edhe nga Alternativa kërkojnë reagimin e prokurorisë, llogaridhënie nga partia e Ahmetit dhe dorëheqje të Merkos.
“Dorëheqja e këtij njeriu nga detyra e kryetarit të Strugës është nderi i fundit që ai mund t’ua bëjë struganëve, por shtrohet pyetja se cili është qëndrimi përkitazi me këtë vendim të ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, që është bedel i Ramiz Merkos në Qeveri dhe i vet shefit të tyre, Ali Ahmeti.”, - theksoi sekretari organizativ i Alternativës, Zeqirja Ibrahimi.
Shaqiri: BDI-ja e hapur për veting
Ministri Shaqiri konsideron se BDI-ja është e hapur për skenimin gjyqësor të zyrtarëve të saj.
“BDI-ja si parti politike gjithmonë ka qenë pro vetingut dhe BDI-ja kërkon veting për të gjithë zyrtarët në nivel qendror dhe lokal.”, - u shpreh ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri.
VMRO: BDI-ja të pastrohet nga kuadro të korruptuar
Nga VMRO konsiderojnë se me shpalljen e Merkos person të padëshiruar nga amerikanët, konfirmohet kriminaliteti në BDI.
“Kjo nuk është hera e parë që partnerët tanë të theksojnë infiltrimin e BDI-së në Gjyqësor. Situatë e njëjtë ishte me emërimin e Islam Abazit, shef i Prokurorisë për krim të organizuar. Vendimet e tilla konfirmojnë atë që themi ne, se BDI do të duhet të ikë në pension politik, të pastrohet nga kuadri i korruptuar.”, - theksoi deputeti i VMRO – DPMNE – së, Mirçe Axhiev.
ShBA-të, duke vënë Merkon në listën e zezë, tentojnë që të tregojnë mbështetjen amerikane për sundimin e së drejtës dhe luftimin e korrupsionit.
MERAL ISMAILI
