Maqedoni

UT-ja zgjedhë rektorin e ri, Zejneli: Zgjedhjet janë të lira

21.06.2023 15:37

Në Universitetin e Tetovës po zhvillohet procesi zgjedhor për zgjedhjen e rektorit të ri të këtij universiteti...

Në Universitetin e Tetovës po zhvillohet procesi zgjedhor për zgjedhjen e rektorit të ri të këtij universiteti edhe përkundër tërheqjes së kandidatëve, Dervish Alimit, Myqereme Rusit dhe Bashkim Ziberit nga gara për rektor. Kandidati i vetëm i mbetur në garë, Jusuf Zejneli vlerësoi procesin zgjedhor si demokratik dhe transparent.
 
“Tani jemi në proces zgjedhor, uroj që të jenë dhe janë zgjedhje sa më të lira demokratike, të fitojnë të gjithë dhe është një vlerë jashtëzakonisht e veçantë dhe një metodologji edhe për universitetin tonë, për arsye se është një formë e votimit të drejtpërdrejt të stafit akademik, të studentëve që kanë të drejtën e votën dhe uroj progres për të gjithë, zhvillim për të gjithë.”, - deklaroi kandidati për rektor të UT-së, Jusuf Zejneli. 
 
Tërhiqen tre kandidatë nga gara, Ziberi: Proces i pabarabartë
 
Përndryshe, tre kandidatët Bashkim Ziberi, Myqereme Rusi dhe Dervish Alimi mbrëmë gjatë emisionit “Argument” kumtuan tërheqjen e tyre nga gara, për arsye të, siç thonë, procesit jo të barabartë dhe të kurdisur.
 
“Promovimet tendencioze të programeve të kandidatëve para stafit akademik, duke u prononcuar haptas me aklamacion për njërin nga kandidatët, presionet e ndryshme nëpërmjet njësive akademike, vizitat e shpeshta në fakultetet e kundërkandidatëve nga ana e kryetarit të senatit dhe u.d. rektorit, për të shantazhuar të njëjtit dhe promovuar kandidatin e preferuar, deri në thirrjet individuale të mësimdhënësve duke ushtruar presione të formave të ndryshme.”, - theksoi kandidati i tërhequr nga gara për rektor, Bashkim Ziberi.
 
Shaqiri: MASh-i s’ndërhyn në autonominë e UT-së
 
Për ministrin e Arsimit, arsyetimi i tre kandidatëve të tërhequr nga gara për presione në nivele të arsimit të lartë është fenomen shoqëror, ndërsa tha se universitetet në vend kanë autonominë e vet. 
 
“E drejta e ministrisë është që të formojë komision për t’i vërtetuar, por ministria nuk mund të përfshihet në autonominë e procesit zgjedhor të një universiteti. Ndikim dhe presion tek stafi akademik, votimi nuk është i hapur, votimi është i fshehtë. Nëse kemi arritur si shoqëri që të vlerësojmë presione edhe tek niveli më i lartë akademik, profesorët universitar që të pranojnë një presion në fushatë proces zgjedhjeje, unë do ta diskutoja si fenomen shoqëror.”, - u shpreh ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri. 
 
Lëvizja “Besa” dhe Alternativa: Të ripërsëritet procesi zgjedhor në UT
 
Opozita shqiptare nga ana tjetër kërkon ripërsëritje të procesit zgjedhor në UT.
 
“Më lejoni të bëj thirrje deri te të gjithë të përfshirët në këtë rast, tek administrata e universitetit, te ministria e arsimit, tek inspektorati për arsim që të bëjnë të pamundurën që procesi zgjedhor të ripërsëritet.”, - deklaroi kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami. 
 
“Të lejohet një proces i zgjedhjes demokratike dhe të pandikuar nga politika të rektorit të ri të UT-së. Uroj që edhe vet të punësuarit edhe stafi akademik i këtij universiteti të kuptojnë urgjencën dhe nevojën që të reflektojnë dhe të shpallin zgjedhje të tjera.”, - theksoi Zeqirija Ibrahimi nga Alternativa. 
 
Përndryshe nga UT-ja kanë informuar se emrat e kandidatëve të tërhequr figurojnë në listë, pasi kanë marrë pjesë në garë dhe kanë prezantuar platformat e tyre.
 
ERSAN PAJAZITI