Maqedoni
Diskriminimi, AP: Rritet numri i ankesave
21.06.2023 16:13
Një rritje prej 33 për qind e ankesave për diskriminim kanë arritur prej qytetarëve tek Avokati i Popullit....

Një rritje prej 33 për qind e ankesave për diskriminim kanë arritur prej qytetarëve tek Avokati i Popullit. Shumica e tyre i referohen punësimit dhe aksesit në shërbimet publike. Avokati i Popullit vlerësoi se nuk ka shoqëri perfekte, por pyetja është se sa të gjithë jemi të gatshëm të bëjmë maksimumin për të zhdukur pabarazinë.
“Në kuadër të avokatit të popullit funksionon edhe seksioni i posaçëm për mbrojtje nga diskriminimi, i cili vepron sipas parashtresave të parashtruara nga qytetarët. Fatkeqësisht, numri i tyre rritet nga viti në vit dhe si rezultat edhe i ngritjes së vetëdijes tek qytetarët se në procedurat të caktuara para organeve shtetërore dhe shërbimeve publike po diskriminohen ose me fjalë të tjera, qytetarët fillojnë të njohin gjithë e më shumë diskriminimin.”, - deklaroi avokati i popullit, Naser Ziberi.
Vendi është nënshkrues dhe ka ratifikuar konventat ndërkombëtare, zbatimi i të cilave është i përkushtuar, siguron Trençevska. Ligji për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi e harmonizon legjislacionin me standardet ndërkombëtare. Ministrja pranon se duhet punë intensive për të përmbushur plotësisht objektivin.
“Duhet të punojmë së bashku, institucionet, sektori civil, akademia. Të gjithë ata mekanizma që janë krijuar pikërisht për mbrojtjen nga diskriminimi dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të qytetarëve. Për këtë arsye, nevoja për koordinim të mëtejshëm të ligjeve të tjera, në përputhje me nenin 48 të ligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi, ka rëndësi të madhe.”, - deklaroi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska.
“Çdo reformë duhet të përshpejtohet, çdo reformë duhet të përafrohet me standardet dhe praktikat e partnerëve tanë më të mirë evropianë, sa më mirë që të jetë e mundur. Siç e dini, anëtarësimi në BE kushtëzohet nga reformat.”, - theksoi ambasadori i delegacionit të BE-së në RMV, David Geer.
Qëllimi i projektit është përmirësimi i mbrojtjes efektive kundër diskriminimit, duke forcuar rregulloren ekzistuese.
SEDAT SELIMI
