Maqedoni
Tetovë, hapet bulevardi “Bllagoja Toska”
21.06.2023 16:34
Pritjes 20 vjeçare të tetovarëve për ndërtimin e bulevardit “Bllagoja Toska” i erdhi fundi...

Pritjes 20 vjeçare të tetovarëve për ndërtimin e bulevardit “Bllagoja Toska” i erdhi fundi, por i njëjti ka përfunduar deri tek shkolla e mesme tekstile, ndërsa pjesa tjetër e mbetur që duhet të lidhet me bulevardin e “Ilindenit” duhet të presë, pasi nuk ka projekt të detajuar, thotë i pari i Tetovës, Bilall Kasami. Sipas Kasamit, për momentin komuna duhet të sigurojë mjete dhe të bëjë elaboratin për eksproporimin e pronave dhe më pastaj të fillojë me realizimin e këtij segmenti.
“Jo për momentin, atë e folëm edhe me bashkëpunëtorët, që informatat që i kam ka projekt themelor, por duhet të porosisim projektin apo në fakt elaboratin për eksproporimin e pronave, do shohim të bëjmë një konstruksion financiar sa do kushtojë eksproporimi dhe sa do kushtojë realizimi i projektit dhe të shohim fondet përmes të cilave do të vazhdojmë me realizimin e këtij segmenti.”, - deklaroi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Banorët e anketuar për pjesën e përfunduar të bulevardit “Bllagoja Toska” thonë se është bërë punë e mirë, sipas tyre më mirë vonë se kurrë.
“Shumë mirë për lëvdata është. Po, është dashur më herët, por asnjëherë nuk është vonë.”, - tha një banor.
“Më mirë ndonjëherë se asnjëherë. Më mirë se u bë se as njëherë mos të bëhet.”, - tha një tjetër banor.
“Shumë jemi të kënaqur.”, - u shpreh një banor.
I gjithë projekti i bulevardit “Bllagoja Toska” e ka kapur vlerën e mbi 650 mijë euro. Ndërsa, në Tetovë presin edhe shumë rrugë dytësore për rregullim, por edhe hapja e bulevardit “Ilinden” nga Poshta e Tetovës deri tek stadiumi i qytetit.
VISAR SADIKI
