Botë
Kurti, video mesazh për serbët e Kosovës
21.06.2023 20:50
Me një video mesazh në gjuhën serbe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu është drejtuar serbëve të Kosovës...

Me një video mesazh në gjuhën serbe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu është drejtuar serbëve të Kosovës, për t’ua shpjeguar situatën në veri dhe shkaqet që sollën deri te tensionimi i situatës. Duke folur për zgjedhjet në komunat veriore, Kurti tha se ndërkombëtarët i kishin premtuar që do ta fusnin Listën Serbe në zgjedhje, nëse ai do pranonte Aneksin e Ohrit, por kjo nuk ndodhi.
“Në dhjetor të vitit të kaluar, ne e shtymë ditën e zgjedhjeve për katër muaj, duke shpresuar se do të marrë pjesë Lista Serbe. Bashkësia ndërkombëtare na premtoi se nëse pranojmë aneksin e Ohrit, do të sigurojnë pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje. Fatkeqësisht, nuk kam as fuqi e as vullnet që t'i detyroj të kandidojnë në zgjedhje. Tani, kryetar i komunës është Lulzim Hetemi, derisa të zgjidhet një i ri. Për këtë na duhen zgjedhje të parakohshme dhe një fushatë parazgjedhore e hapur, e lirë, në 4 komunat në veri. Pa një fushatë të ndershme dhe demokratike, nuk ka zgjedhje të ndershme dhe demokratike. Prandaj në radhë të parë nevojitet sundimi i ligjit, pra një mjedis ku nuk ka frikësim dhe kriminelë. Këtë duam dhe duhemi ta vendosim së bashku. Me sundimin e ligjit, gradualisht mund ta zvogëlojmë numrin e policëve në ndërtesat komunale.”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryemisnitri kosovar njëherit ka theksuar se nevoitet një takim urgjent në Bruksel.
“Ne kemi nevojë për takime në Bruksel për zbatimin urgjent, të plotë dhe të pakushtëzuar të marrëveshjes bazë nga Brukseli, pjesë përbërëse e së cilës është Aneksi i Ohrit. E kam të qartë tani që presidenti i Serbisë i ka thënë po marrëveshjes për të mos e nënshkruar dhe tani ankohet dhe pendohet duke thënë po, për pranimin e asaj marrëveshjeje, që do të thotë njohje de facto e Republikës së Kosovës.”, tha Kurti.
Ai njëherit ka theksuar se sulmi dhe kidnapimi i policëve, gjuajtja ndaj ushtarëve të KFOR-it, sulmet e dhunshme ndaj gazetarëve nuk do të tolerohen. Kurti poashtu ka theksuar se është kundër luftës, pasi siç tha ai ka vuajtur gjatë luftës, si i burgosur lufte për më shumë se dy vjet e gjysmë. Njëherit theksoi se presidenti serb Aleksandar Vuçiq si ministër i Millosheviqit, kishte pushtet madje pa detyrime, sepse të gjithë përgjegjësinë e mbante Millosheviqi. Për më shumë se 10 vjet, këta të ashtuquajtur progresistë e kanë kriminalizuar politikën në Serbi, e tani në veri të Kosovës po tentojnë të politizojnë kriminelët.
NAIM SINANI
