Universiteti i Tetovës, prof. dr. Jusuf Zejneli u zgjodh rektor i ri

22.06.2023 12:01

Me shumicë votash të stafit akademik të 13 fakulteteve...

Me shumicë votash të stafit akademik të 13 fakulteteve, prof. dr. Jusuf Zejneli u zgjodh rektor i ri i Universitetit të Tetovës, me mandate trevjeçare, për periudhën 2023 – 2026.

Siç bëjnë të ditur nga ky universitet, të drejtë vote kanë pasur gjithsej 334 anëtarë të këshillave mësimorë-shkencorë të fakulteteve. Gjatë procesit të votimit të djeshëm të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 302 votues, ku kandidati prof. dr. Jusuf Zejneli ka marrë 260 vota, kandidati prof. dr. Bashkim Ziberi 14 vota, kandidatja prof. dr. Myqereme Rusi 1 votë, kandidati prof. dr. Dervish Alimi 0 vota dhe 27 vota kanë rezultuar të pavlefshme. 

Në përputhje me nenin 106, paragrafi 9, i Statutit të Universitetit të Tetovës, për mandatin e ardhshëm trevjeçar 2023-2026, rektor i Universitetit të Tetovës është zgjedhur kandidati prof. dr. Jusuf Zejneli, profesor ordinar në Fakultetin Juridik, i cili ka fituar më shumë pikë në këtë proces zgjedhor, thuhet në njoftimin e zyrës për informim, nga e cila nuk theksojnë se tre kundërkandidatët paraprakisht ishin larguar nga gara me pretendimin për favorizim politik të Zejnelit, të cilat ky i fundit i kishte hedhur poshtë.