Kurti dhe Vuçiq në Bruksel, Borrell në përpjekje për uljen e tensioneve

22.06.2023 12:36

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq....

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, do të qëndrojnë sot në Bruksel me ftesë të shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Por, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se do të takohet me Borrellin në Bruksel, por jo edhe me Kurtin.

“Biseda me të nuk ka kuptim. Ai na jep leksione për filozofinë, pak për  Demaçin, pak për Marx-in”, tha Vuçiq.

Ndërsa, kryeministri Kurti duke konfirmuar pjesëmarrjen në takim ka thënë se do të insistojë për “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve  që po mbahen peng nga Serbia, çtensionimin e situatës dhe normalizimin e raporteve.”.

Ndërkaq, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tha se ka ftuar liderët e Kosovës dhe Serbisë në një takim urgjent në Bruksel, për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën aktuale.

“Kam ftuar liderin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe atë të Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel për takime urgjente për të gjetur një mënyrë për të dalë nga kriza aktuale. Na duhet çtensionim i menjëhershëm i situatës dhe zgjedhje të reja në veri me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës. Këto janë parësore për rajonin dhe BE-në.”, shkroi ai në Twitter.