Maqedoni
“Bomba 4”, mbi 100 gazetarë të përgjuar, del në shesh edhe Gruevski
25.02.2015 17:38
Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim ka përgjuar mbi 100 gazetarë, gazetarë të afërt me pushtetin dhe gazetarë të afërt me opozitën...

Ndërkaq, gazetarët profesionistë dhe kritikë janë ndjekur dhe përgjuar me kujdes dhe pedanteri më të madhe në raporte me shkrim të DSK-së.
Përgjimi i gazetarëve dhe kontrolli i mediave ishte “bomba” e katërt e LSDM-së, që e publikoi kreu i saj, Zoran Zaev.
”Për të parët, redaktorët e mediave pro-qeveritare, kemi materiale audio të cilat e zbulojnë bashkëpunimin mes kryeministrit, DSK-së dhe mediave. Se si drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, në koordinim me kryeministrin dhe bashkëpunëtorët e tij, në kuptim të plotë të fjalës sundojnë dhe menaxhojnë me mediat dhe gazetarët jo vetëm në mediat private, por edhe në servisin publik, TVM”- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Në bisedën e parë, ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska dhe Martin Protugjer, shef i kabinetit të kryeministrit Gruevski, dakordohen se si të plasojnë informacion rreth “Telekomit” përmes mediave pro-qeveritare.
Në bisedën mes kryeredaktorit të televizionit Sitel dhe ministres së Kulturës, Elizabeta Kançevska-Milevska, kjo e fundit porosit transmetimin e një ankete në lajme qendrore, ndërkaq Latas tregon se nga 12 kronika gjithsej 7 janë me porosi nga kryeministria.
Nga bisedat e përgjuara, Zaev thotë se kuptohet angazhimi i pushtetit për mbylljen e televizionit A1 dhe marrja në kontroll e tre gazetave ditore të “Media Print”-Maqedoni.
“Pranimi frapues i drejtorit të DSK-së, Mijallkov, se e ka rregulluar Velinë nuk është “maskra” e vetme që Gruevski dhe Mijallkov u kanë bërë mediave. Në bisedën mes Jankullovskës dhe Mijallkovit dëshmohet se drejtori i DSK-së, në koordinim me Gruevskin dhe me drejtorin ekzekutiv të MPM-së, Sërgjan Kerim, i ka rregulluar edhe tre gazetat e MPM-së”- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Për herë të parë Zaev publikoi edhe një bisedë mes kryeministrit, Nikolla Gruevski, dhe ministrit të Transportit, Mile Janakievski, ku Gruevski kërkon nga Janakievski që të bëjë transfer prej gjysmë milioni euro nga llogaria e Agjencisë për Komunikime Elektronike (AEK) për realizimin e filmave dokumentarë.
Gruevski e porosit Janakievskin që paratë t’i arsyetojë me zërin “përgjegjësi shoqërore”, ndërsa dokumentari i parë duhet të mbajë titullin “Për luftën maqedonase për liri”.
SHPËTIM NUREDINI
