Energjetikë, do të ketë energji elektrike të lirë, por jo nga 1 korriku
Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi...

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, bëri të ditur se çmimi i ri i energjisë elektrike do të bëhet i ditur pas dy ditësh, menjëherë pas përfundimit të procedurës së tenderit në EVN-së . Ai gjithashtu nënvizoi se ofertat për çmimin e ri të energjisë do të jepen nga EMV dhe se çmimi i energjisë elektrike vendoset në seancë të mbyllur dhe ka arsye pse është kështu.
“Nëse çmimi i energjisë elektrike diskutohet me dyer të mbyllura, atëherë ka arsye pse nuk mund ta bëjmë publike. Për dy ditë do të përfundojë procedura e tenderit në EVN dhe të gjithë do ta dimë se cili do të jetë çmimi i ofruar nga EMV-ja.”, - deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.
A do të ketë tarifë të lirë të energjisë elektrike nga 1 korriku, siç është paralajmëruar, Bytyqi thotë se si Qeveri mbesim të qëndrimit që të ketë tarifë të lirë, por përgjigjen për këtë pyetje duhet ta japë Komisioni rregullator për energjetikë.
“Sa i përket tarifës së lirë, ne si Qeveri ende jemi të mendimit se duhet të zbatohet. Komisioni Rregullator për Energjetikë duhet të tregojë se kur është e mundur të aplikohet.”, - theksoi zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.
Tarifë të lirë para dy muajsh ka premtuar dhe njeriu i parë i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Bislimovski dhe ministrat, por të gjithë janë të sigurt se nga 1 korriku nuk do të ketë.
Aktualisht çmimi për megavat orë është 56 euro, ajo çfarë është e sigurt është se nga 1 korriku do të kthehet norma prej 18% për TVSh-në, e cila deri më tani ishte 10%. Nga rregullatori varet nëse do të ketë edhe rritje të çmimit. (Sedat Selimi, TVM2)
