Kurti dhe Vuçiq në Bruksel, Borrell në përpjekje për uljen e tensioneve
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksanadar Vuçiq....

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksanadar Vuçiq po qëndrojnë në Bruksel me ftesë të shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell. Ky i fundit ka nisur takimet e ndara pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paraprakisht ka thënë se do të takohet me Borrellin në Bruksel, por jo edhe me Kurtin.
Ndërsa, kryeministri Kurti, duke konfirmuar pjesëmarrjen në takim ka thënë se do të insistojë për “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve që po mbahen peng nga Serbia, çtensionimin e situatës dhe normalizimin e raporteve”. Ndërkaq, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tha se ka ftuar liderët e Kosovës dhe Serbisë në një takim urgjent në Bruksel, për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën aktuale.
Stoltenberg: Prania e NATO-s në Kosovë është e rëndësishme
Situata aktuale në Kosovë është dëshmi se në këtë shtet është e rëndësishme prania e misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR-it, ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
“Situata në Kosovë dëshmon se prania e NATO-s është e rëndësishme. Ne do të jemi besnikë ndaj mandatit që kemi, sipas rezolutës së OKB-së dhe kemi rritur praninë tonë në Kosovë si përgjigje ndaj rritjes së sfidave të sigurisë. Prania jonë është për të siguruar lirinë e lëvizjes dhe mjedisit të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë. Në këtë drejtim, ne mbështesim edhe dialogun dhe ftojmë palët që të përmbahen nga veprimet e njëanshme, të cilat mund të përshkallëzojnë situatën.”, - deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO- s, Jens Stoltenberg.
Këto komente Stoltenber i bëri gjatë takimit në selinë e NATO-s me presidentin e ri të Malit të Zi, Jakov Millatoviq.
Milatoviq: Mali i Zi mbështet dialogun Kosovë-Serbi
Presidenti malazez Millatoviq, me këtë rast tha se për shtetin e tij stabiliteti i rajonit të Ballkanit Perëndimor ka një rëndësi të veçantë dhe angazhimi i përbashkët i NATO-s dhe BE-së e forcon sigurinë e tërë rajonit.
"Normalizimi i marrëdhënieve është bazë për Ballkanin perëndimorë stabil dhe të prosperuar, si pjesë përbërëse e Bashkimit Evropian.”, - theksoi presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq.
Osmani: Qëndrimi i dy liderëve në Bruksel, shenjë e mirë
Me shqetësim po e ndjek situatën edhe RMV-ja dhe OSBE-ja, thotë shefi i diplomacisë i Maqedonisë së Veriut dhe kryesues i OSBE-së, Bujar Osmani.
“Jemi vërtetë të shqetësuar për situatën në teren atje, për potencialin për eskalim më serioz me pasoja edhe për njerëzit lokal aty, por edhe për gjithë rajonin. Jo rastësisht, thirrja ime si kryesues i OSBE-së, por edhe si fqinjë i parë edhe me Kosovën edhe me Serbinë, që palët të vazhdojnë të koordinojnë kohën që të gjejnë zgjidhje afatgjate.”, - u shpreh Bujar Osmani nga MPJ.
Osmani vlerëson se është shumë shenjë e mirë se Kurti dhe Vuçiq janë në Bruksel në kërkim të një zgjidhjeje. (Gyltene Sinani, TVM2)
