Paralajmërimet për greva, Besimi: Nuk do të ketë bllokim të institucioneve, kufijve

22.06.2023 18:00

Ministri i financave Fatmir Besimi....

Ministri i financave Fatmir Besimi, është i bindur se nuk do të të mbyllen pikat kufitare apo të bllokohen pagat e punëtorëve në sektorin publik, pas paralajmërimeve të  Sindikatës së Drejtorisë së të Ardhurave Publike për grevë të përgjithshme.

Edhe nga Doganat kanë paralajmëruar se do ta radikalizojnë protestën për shkak të mospagesës së shtesave në pagë prej 30%. Besimi thekson se ligjet dhe kushtet për grevë janë të qarta.

 “Ajo nuk mund të ndodhë, ka Ligj me të cilin definohet procedura për grevë. Mendoj se ky nuk është qëllimi i Drejtorisë së të ardhurave publike, të punësuarve e as të shërbimeve në dogana që të mbyllin pika kufitare apo të mos bëjnë pagesën e pagave. Sipas ligjit, sindikatat së bashku me punëdhënësit vërtetojnë mënyrën se si ajo do të duket dhe këtu duhet të gjithë t’i respektojmë ligjet.”, - deklaroi ministri i financave, Fatmir Besimi.

Nëse gjendet zgjidhje, nuk do të ketë grevë, theksojnë nga Sindikata e DAP-it. Theksojnë se e drejta për grevë është legjitime dhe kanë të drejtë.

“Ne gjithmonë jemi të gatshëm për bashkëpunim dhe nëse gjendet zgjidhja nuk do të ketë grevë. Ligjet janë të qarta dhe ne punojmë sipas tyre. Afatet dhe procedura për grevë po rrjedhë, nëse deri atëherë nuk ka zgjidhje, grevë do të ketë.”, - theksoi Vase Nedanovski nga Sindikata e DAP-it.

Qeveria ka caktuar pajtues me Sindikatën e të punësuarve në DAP dhe nëse ai vërteton se nuk është plotësuar kushti ligjor, Qeveria do të miratojë vendim me të cilin do t’i rrisë pagat në Drejtori. Javën e ardhshme është caktuar seancë e Këshillit ekonomik social, ku përfaqësues të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë me Qeverinë do të kërkojnë rrugëdalje nga situata.

Edhe nga doganat me kërkesa për paga më të larta, presin përgjigje nga drejtori i ri dhe financa, në të kundërtën do të ketë radikalizim të protestës dhe bllokim të pikave kufitare. (Florije Kamberi, TVM2)