Asllani flet për barazinë gjinore në futboll

22.06.2023 17:51

Kosovare Asllani ka qenë një prej më të zëshmeve në këtë drejtim....

Kur kanë mbetur vetëm edhe më pak se 100 ditë deri në nisje të Kupës së Botës në futboll, në konkurrencën e femrave, ka nisur diskutimi edhe prë barazinë gjinore.

Kosovare Asllani ka qenë një prej më të zëshmeve në këtë drejtim.

Asllani ka zhvilluar 170 ndeshje për Suedinë, ndërsa ka thënë se për futbollin e femrave duhet të bëhet edhe më shumë se kaq.

“Duhet më shumë investim në futbollin e femrave. Po e shohim edhe pjesën e sigurimit. Kemi tetë skuadra të reja në këtë Kupë të Botës në krahasim me Botërorin e kaluar. Shpenzimet janë shumë të mëdha për secilën skuadër dhe futbolliste. Duhet punuar në shumë aspekte për të përparuar. Femrat duhet të kenë më shumë të ardhura për të pasur sukses. Ka edhe shumë hapa tjerë që duhet bërë për të përparuar”, ka thënë ylli i futbollit suedez në një intervistë dhënë mediumit “CNN”.

Asllani me Suedinë në Botëror është në Grupin G me Argjentinën, Italinë dhe Afrikën e Jugut.

“Po e ndjekim atë medaljen e artë tash e një kohë të gjatë. Është ëndërr për ne. Kemi ekip të mirë dhe i kemi të gjitha shanset për të pasur sukses. Por ka edhe ekipe tjera në formë të mirë. Por jemi në mesin e favoriteve dhe kjo Kupë e Botës do të jetë e hapur. Lufta do të bëhet mes 5-6 shteteve që mund ta fitojnë. Edhe Anglia është në mesin e tyre, pa dyshim. Gjermania, SHBA-ja, Franca e po ashtu edhe Australia. Do të jetë Kupë e Botës shumë interesante, por shpresoj se ky Botëror do të thyej edhe më shumë barriera për turnetë e ardhshëm”, është shprehur Asllani 33-vjeçare.

Kosovare Asllani me Suedinë ishte nënkampione e Lojërave Olimpike 2016 dhe 2020, ndërsa në Kupën e Botës të vitit 2019, zuri vendin e tretë.

Karrierë në të kaluarën ka bërë edhe me Paris Saint-Germainin, Manchester Cityn e Real Madridin. Asllani pati paraqitje të mira edhe me skuadrën e Serie A të Italisë, Milanin.

Asllani është ambasadore e “Laureus World Sports Awards”, që është organizatë për parandalimin e dhunës e diskriminimit, si dhe që promovon fuqinë e sportit.