Borrell për veriun: Zgjedhje të reja me pjesëmarrje të plotë

23.06.2023 12:09

Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell...

Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, deklaroi se në takimet që i ka pasur të enjten me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin, janë pajtuar se duhet të ketë zgjedhje të hershme në katër komunat veriore të Kosovës.

Ai tha se kanë "identifikuar rrugë të mundshme përpara, por të dyja palët duhet t'u përmbahen detyrimeve të tyre".

"Takimi i sotëm nuk u fokusua në shumëçka, por në atë se si dhe kur të qetësohet situata në terren, si të organizohen zgjedhje të reja dhe si të kthehen palët në dialog dhe t'i zbatojnë të gjitha detyrimet e dialogut, në veçanti marrëveshjen e fundit në rrugën e normalizimit.", tha Borell.

Gjithashtu, Borrelli deklaroi t'i ketë thënë Vuçiqit se tre policët e Kosovës që po mbahen në paraburgim në Serbi "duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte".

Në lidhje me arrestimet e disa serbëve në Kosovë pas protestave të fundit në veri, Borell tha se "nuk mund të ketë mosndëshkim për autorët e dhunës". Megjithatë, ai theksoi se "arrestimi ose keqtrajtimi arbitrar i padrejtë i të burgosurve është krejtësisht i papranueshëm".

Borrell shtoi se në takimin me Kurtin, ka ritheksuar kërkesën që kryetarët shqiptarë të zgjedhur në komunat serbe, të punojnë nga ndërtesa alternative.