Maqedoni
Rasti ”Përgjimet”, Gruevski: nuk diskutoj për qeveri teknike
25.02.2015 17:57
Pas publikimit të bisedave telefonike që prezantoi sot lideri i LSDM-së, ku u dëgjua edhe një bisedë e kryeministrit, Nikolla Gruevski...

Pas publikimit të bisedave telefonike që prezantoi sot lideri i LSDM-së, ku u dëgjua edhe një bisedë e kryeministrit, Nikolla Gruevski, ky i fundit, në një konferencë për media tha se lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, materialet që i posedon i ka siguruar nga shërbime të huaja sekrete, me ndihmën e personit Z.V. ¬Kryeministri, Nikolla Gruevski, tha se nuk do të komentojë vërtetësinë e bisedave telefonike dhe se këtë gjë ia lë ta bëjë gjykata me anë të procedurës ligjore.
Gruevski tha se e mirëpret çdo nismë nga faktori ndërkombëtar për të zgjidhur krizën politike, por se nuk do të pranojë të diskutojë për kërkesën e qeverisë teknike.
“Jam këtu për t’u dhënë përgjigje të gjitha pyetjeve. Zaev, në takimet tona mi prezantoi disa biseda jo të rëndësishme. Kishte edhe materiale të pasakta dhe të montuara. Andaj them që ka disa biseda të sakta, gjysmë të sakta dhe aspak të sakta. Incizimet i ka bërë agjencia e huaj sekrete, me ndihmën e personit Z.V. Materialet janë menduar të dërgohen jashtë vendit. Z.V. e ka thyer kompjuterin dhe ka folur me shifra me familjen. Një njeri i pafajshëm nuk e bën këtë. Ministria e Punëve të Brendshme zbuloi kush i ka bërë xhirimet që i ka Zaevi, ata janë dy persona që i kanë ndihmuar personit me iniciale Z.V. dhe ata sot e kanë pranuar para gjykatës fajësinë e tyre. Opozita nuk ka asnjë dëshmi se ne i kemi bë xhirimet”- deklaroi kryeministri, Nikolla Gruevski.
Kryeministri Gruevski, duke folur për arrestimin e Zoran Verushevskit, tha se ai është bashkëpunëtori kryesor i shërbimeve të huaja, por nuk ka shpalosur se për shërbimet e cilit shtet bëhet fjalë.
NAIM RAMADANI
