Ndryshimet kushtetuese, Quçuk: Amendamentet për dy javë në Kuvend
Amendamentet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve...

Amendamentet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë për dy javë do të hyjnë në procedurë parlamentare, deklaron eurodeputeti bullgar, Ilhan Quçuk. Ai thotë se ka marrë konfirmim nga autoritet e vendit, ndërkohë që nuk jep datë konkrete për votimin e raportit për përparimet e Maqedonisë së Veriut.
“Këtë ose javën tjetër, grupi i punës do të duhet të dorëzojë propozimet dhe të shqyrtohen në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Deri në fund të 2023-ës nuk ka datë konkrete që eurodeputetët të miratojnë raportin për përparim. E kemi të qartë, nëse do të duhet të votohet për raportin në shtator, dy ditë para ose pas do të duhet të votohet për tekst për ndryshimin e Kushtetutës. Kjo do të nënkuptonte disponim dhe emocione shtesë dhe s’do ta lejoja si politikan profesionist.”, - deklaroi eurodeputeti, Ilhan Quçuk.
Plevneliev: RMV-ja të mos fokusohet vetëm te Bullgaria
Ndërkohë, ish-presidenti i Bullgarisë, Rosen Plevneliev, ka deklaruar se Maqedonia të mos fokusohet vetëm te Bullgaria sa i takon ndryshimeve kushtetuese, por të bëjë reformat e nevojshme për anëtarësim në BE.
“Gjatë forumit “Globsek” kam pasur biseda me kryeministrin e RMV-së, Dimitar Kovacevski dhe ministrin e Jashtëm, Bujar Osmani. U thashë se kur fokusohen vetëm në Bullgari dhe nuk bëjnë reformat e nevojshme në Republikën e Maqedonisë, nuk tregojnë se janë të gatshëm t’i integrojnë vlerat evropiane në veprimet dhe reformat e tyre, në vendimet e tyre politike. Ju thjesht po bëni një gabim të madh.”, - theksoi ish-presidenti i Bullgarisë, Rosen Plevneliev.
Plevneliev rikujtoi politikanët tanë se jo vetëm Bullgaria, por edhe Rumania dhe Kroacia, si dhe të gjitha vendet e tjera të rajonit, bënë reforma shumë të thella, duke ndryshuar të paktën 6 mijë ligje dhe rregullore. (Meral Ismaili, TVM2)
