Sveçla: Arrestohet sulmuesi i KFOR-it, Orloviq, reagon Beogradi dhe Lista serbe
Policia e Kosovës ka arrestuar Nenad Orloviqin....

Policia e Kosovës ka arrestuar Nenad Orloviqin, i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”, i cili dyshohet për sulm ndaj KFOR-it më 29 maj në Zveçan, ku mbeten të plagosur shumë ushtarë, policë dhe gazetarë. Këtë e ka bërë të ditur ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, duke theksuar se Republika nuk trembet nga kriminelët.
“Pandëshkueshmëria dhe amnistia ndër vite e kriminelëve të tillë, ka rezultuar me sulme brutale ndaj KFOR-it nga të cilat mbi 30 pjesëtarë mbetën të lënduar. Secili që ka organizuar dhe ka qenë pjesë e atyre sulmeve do të sillet para drejtësisë. Republika nuk trembet. Secili do të japë llogari për secilin krim. Do të vazhdojmë pa u ndalur, në luftë ndaj të gjitha bandave që kanë për synim terrorin ndaj qytetarëve tanë e destabilizimin e vendit tonë.”, ka shkruar Sfeçla në rrjetet sociale.
Ai njëherit ka bërë të ditur se të enjten në mbrëmje, 15 deri në 20 persona kanë rrahur dy të rinj shqiptarë, por policia po punon që sulmuesit të sillen sa më parë para drejtësisë.
Orloviq, serbi i tetë që është arrestuar
Ndërkohë, arrestimin e Nenad Orloviqit e ka kundërshtuar e ashtuquajtura Zyrë për Kosovë e Qeverisë së Serbisë.
“Nenad është serbi i tetë që është arrestuar që nga shpërthimi i krizës në veri të Kosovës. Është e qartë se Albin Kurti nuk dëshiron dialog dhe as paqe, por dëshiron të arrestojë të gjithë serbët dhe të shkaktojë konflikte dhe të vë zjarr, jo vetëm në Kosovë, por edhe në mbarë rajonin”, ka shkruar kjo Zyrë e qeverisë serbe.
Kanë reaguar nga Lista serbe. Sipas reagimit të tyre, ata kërkojnë nga EULEX-in dhe KFOR-in të vendosin forcat e tyre sa më parë në veri të vendit dhe të garantojnë paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët.
Por, arrestimet e atyre që shkaktuan dhunë gjatë tensioneve në veri e kanë edhe mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në deklarimin për media pas takimeve në Bruksel me kryeministrin Kurti dhe presidentin serb, Vuçiq, tha se nuk mund të ketë pandëshkueshmëri për autorët e dhunës, por kërkoi që kjo të bëhet në mënyrë profesionale. (Gyltene Sinani, TVM2)
