ASh: Të ripërsëritet zgjedhja e rektorit në UT

23.06.2023 16:00

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar në lidhje me zgjedhjet e mbajtura...

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar në lidhje me zgjedhjet e mbajtura për rektor të Universitetit të Tetovës, të cilat sipas ASh-së, kanë qenë të ndikuara, kontrolluara dhe të orkestruara, me qëllim që në këtë pozitë të zgjidhet kandidati i preferuar i Vullnet Ahmetit dhe klanit të tij të krimit dhe korrupsionit.

Nga ASh-ja kërkojnë ripërsëritje të procesit zgjedhor në UT.

“Kërkojmë me këmbëngulje që Ministria e Arsimit dhe Shkencës të ndërmarrë masa të menjëhershme, sepse e ka obligim ligjor të ndërhyjë. Që nga 25 maji, UT-ja është pa rektor. Andaj, edhe një herë ftojmë ministrin Jeton Shaqiri, që urgjentisht të caktojë një ushtrues detyre rektor. Ky ushtrues detyre do të duhet të rinisë nga pika zero procesin e përzgjedhjes së rektorit të ri. Në ndërkohë të shkarkohet i tërë senati dhe prorektorët.”, thonë nga partia e Taravarit.

Në postin e rektorit të UT-së ditë më parë u zgjodh Jusuf Zejneli, por zgjedhja e tij nuk kaloi pa reagime, pasi tre kundërkandidatët e tij Bashkim Ziberi, Myqereme Rusi dhe Dervish Alimi u tërhoqën nga gara një ditë para, me arsyetimin për proces jo të barabartë dhe ushtrim të presioneve të ndryshme. (Ersan Pajaziti, TVM2)