Maqedoni

Analistët: qeverisë nuk i intereson mendimi i ndërkombëtarëve

25.02.2015 17:59

Edhe pse PE-ja dje dha rekomandimin e nëntë për Maqedoninë, rasti ”Puç” dhe publikimi i “bombave” të Zaevit për momentin janë në krye të agjendës së qeverisë në vend...

Profesori universitar, Bekim Kadriu, vlerëson se këto dy raste kanë vënë nën hije jo vetëm bllokadën greke, e cila me vite ishte makth për Maqedoninë, por edhe kërkesat që dalin drejtpërsëdrejti nga Parlamenti Evropian. 
 
“Unë mendoj se ndërkombëtarët në këto momente janë të venduar në një pozicion ku nga njëra anë doemos duhet të insistojnë në respektimin e standardeve ndërkombëtare, mirëpo nga ana tjetër ata nuk mund të insistojnë për forma të caktuara për zgjidhjen e kësaj situate politike. Nuk mendoj se momentalisht Qeveria e Maqedonisë është shumë e interesuar se çka thonë ndërkombëtarët për ne. Unë mendoj që ata do mundohen që këtë problem ta zgjidhin ashtu siç ata do të kenë favor, e jo si insistojnë autoritetet ndërkombëtare. Për momentin pasqyra për Maqedoninë nuk është shumë e mirë”- deklaroi profesori universitar, Bekim Kadriu.
 
Fare pak rëndësi ka vendimi i djeshëm i PE-së, sepse vendi përballet me kriza politike, vlerëson analisti Dashtevski. 
 
“Gjithsesi, Maqedonisë i bëhet shumë dëm. Pavarësisht se çfarë qëndrime kanë ndërkombëtarët, nëse brenda shtetit përputhen qëndrimet, atëherë kemi një situatë tërësisht ndryshe dhe vetë ndërkombëtarët do të kenë situatë më të qartë rreth integrimit të vendit në BE, sepse për momentin kriza politike në vend ka çuar  kontestin me Greqinë në rend të dytë”- tha analisti, Aleksandar Dashtevski.
 
Ndërkohë, ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Poposki, i cili gjatë vizitës në Bruksel ka realizuar takime me deputetët në PE, shprehet se temë kryesore e bisedimeve ka qenë miratimi i rezolutës për Maqedoni, kriza politike dhe bojkoti i kuvendit.
 
Sipas tij, bllokimi i punës së institucioneve vendore nga LSDM-ja opozitare u japin alibi atyre që dëshirojnë të bllokojnë rrugën e Maqedonisë drejt BE-së dhe NATO-s.
 
“Porosia që e përcjellin nga PE është se në këtë moment është e patjetërsueshme që të gjithë pjesëmarrësit politik në Maqedoni duhet të kontribuojnë që dialogu politik të zhvillohet në institucionet, gjegjësisht në kuadër të kuvendit, aty ku edhe është e nevojshme, si dhe të respektohen të gjitha institucionet në një demokraci nga të gjithë pjesëmarrësit politik. Për ne është shumë me rëndësi që kjo pengesë të tejkalohet, sepse në këtë moment ata që pamundësojnë funksionimin e të gjitha institucioneve u mundësojnë alibi shumë të mirë atyre që dëshirojnë të pengojnë integrimin e Maqedonisë në BE”- tha ministri i Punëve të Jahtme, Nikolla Popovski.
 
Duhet të jemi të vetëdijshëm se shmangja e dialogut politik brenda institucioneve do të dëmtojë tej mase Maqedoni dhe ne duhet të gjejmë një zgjidhje për këtë, thotë ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Popovski. 
 
SANIJE KASAMI