Rasti “Merko”, partitë kërkojnë llogari dhe dorëheqje
Një valë akuzash nga partitë politike...

Një valë akuzash nga partitë politike janë drejtuar në adresë të kryetarit të Strugës, Ramiz Merko. Nga VMRO – DPMNE konsiderojnë se Merko nuk ka mundur vetë të ndikojë në proceset gjyqësore pa mbështetjen e Ahmetit dhe Kovaçevskit. nga partia e Mickoskit kërkojnë përgjegjësi për të gjithë personat e involvuar në skandalin.
“Përderisa populli po shpërngulet masivisht, familjarët e funksionarëve të BDI-së ndërtojnë perandori biznesi, është njëra nga arsyet kryesore përse VMRO – DPMNE po lufton që BDI të shkojë në opozitë.”, - deklaroi Dragan Kovaçki nga VMRO-DPMNE.
LSDM, nga ana tjetër, ka reaguar se edhe presidenti i nderit i VMRO-DPMNE-së është në listën e zezë të ShBA-ve dhe ka akuzuar se selia e opozitës është fituar kriminalisht në kurrizin e qytetarëve.
“Partitë nuk janë as Gjykata e as Prokurori dhe nëse DPMNE ka ndonjë dëshmi për veprime të kundërligjshme për këdo, duhet t'ia dorëzojë institucioneve kompetente. Është hipokrizi që këto akuza vijnë nga DPMNE, sepse është parti politike, selia e së cilës ndodhet në një ndërtesë të konfiskuar kriminale, e cila është gjithashtu ndërtim pa leje dhe presidenti i nderit i së cilës është në listën e zezë të ShBA-ve.”, theksojnë nga LSDM.
Alternativa e Afrim Gashit konsideron se mosmarrja përgjegjësi politike për rastin “Merko” paraqet dyfytyrësi klasike.
“Thjesht ata e kanë humbur kontaktin me realitetin dhe kanë filluar ta shohin shtetin si çekmexhe private për pasurim personal. Në të vërtetë, Ramiz Merko nuk duhet të ngrijë anëtarësimin në parti, por duhet të ngrijë e gjithë BDI-ja dhe të përjashtohet nga pushteti.”, - theksoi Abdylshyqyr Abedini nga Alternativa.
Kanë reaguar degët e ASh-së dhe Lëvizjes “Besa” në Strugë duke kërkuar dorëheqjen e Merkos nga komuna.
“Ramiz Merko, lëri egot personale, kuptoje përgjegjësinë e momentit, liroje karrigen, liroji organet përkatëse të merren pa presionin e pushtetit dhe mos mbaj e gjithë Strugën peng nën akuzë, sepse nuk e meriton.”, - u shpreh Lulzim Nasufi nga ASh-ja.
“Partia e Ramiz Merkos që prej tre ditësh hesht dhe nuk e komenton këtë rast vetëm e vetëm, sepse Merko pajisi me diploma shumë funksionarë laik dhe të paditur të kësaj partie përmes universitetit pa studentë, andaj dhe Merko në këtë krim nuk është i vetëm.”, - theksoi Andi Ziba nga Lëvizja “Besa”.
Ramiz Merko aktualisht ka ngrirë detyrat në parti, por vazhdon punën si kryetar komune. (Meral Ismaili, TVM2)
