IN MEMORIAM - Ndërroi jetë gazetari e publicisti, Skender Raufi

23.06.2023 17:25

Ka ndërruar jetë në moshën 71 vjeçare gazetari dhe publicist i njohur, Skender Raufi....

Ka ndërruar jetë në moshën 71 vjeçare gazetari dhe publicist i njohur, Skender Raufi. Ai ishte një ndër doajenët e programit në gjuhën shqipe pranë Televizionit Publik të Maqedonisë, ku punoi që nga viti 1972 deri në pensionim.

Skender Raufi është diplomuar në Fakultetin Juridik të Shkupit, por pasion jetësor i tij mbeti gazetaria dhe publicistika. Në TVM2 ka punuar në të gjitha zhanret e gazetarisë televizive ku ka mbajtur për një kohë edhe postin e kryeredaktorit. Por, pasioni i tij në gazetari nuk mbeti vetëm në televizionin të cilit i përkushtoi jetën.

Ai ka publikuar shkrimet e tij edhe në gazeta të shumta ditore si (kryesisht në të përditshmen “Fakti”), shkrime këto me një zhanër të veçantë që e shquante nga kolegët e tjerë. Gjithashtu është autori edhe i disa veprave publicistike, si : “Takim me krijuesin” në dy vëllime,  “Vjelja e lulediellit” me tre vëllime. Ishte edhe laureat i çmimit më të lartë për publicistikë në vendin tonë “Mito Haxhivasilev-Jasmin”.

Në përkujtim të kolegut tonë tanimë të ndjerë, Skender Raufi, sonte në orën 21:00 do të mund të ndiqni një tv portret nga arkivi ynë.


Varrimi i të ndjerit bëhet nesër me namazin e drekës në Bukoq të Shkupit. TVM2 i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Raufi dhe miqve të tij.