Rama: Pa lirimin e 3 policëve, zero marrëdhënie me Serbinë

23.06.2023 18:01

Kryeministri Edi Rama kërkoi sot lirimin e menjëhershëm...

Kryeministri Edi Rama kërkoi sot lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të 3 policëve të Kosovës, aktualisht në paraburgimin serb. Kjo është thirrja e tretë e shefit të Qeverisë shqiptare drejtuar së pari Vuçiqit dhe ndërkombëtareve duke shtuar se nuk mund të ketë asnjë plan për de-eskalimin e situatës mes Kosovës dhe Serbisë, pa reaguar Beogradi zyrtar.

“Mbajtja e tyre me ditë të tëra në burg është e pajustifikueshme dhe e papranueshme, ndërsa përpjekja për ta mbuluar këtë lajthitje shtetërore për mbajtjen pa asnjë të drejtë të tre policëve të huaj në burgun e një shteti tjetër, është shqetësuese.”.

Një letër të dytë, Rama i ka dërguar presidentit të Francës dhe kancelarit gjerman. Siç ai thotë, letra flet për planin franko – gjerman, i cili duhet të vihet në zbatim në veri të Kosovës, aty ku po rrezikohet përplasja fatale e armatosur mes grupeve që operojnë në veriun e Kosovës.

 “Përplasje, e cila edhe sikur 3 orë të zgjaste do të rezultonte fatale edhe për të gjithë çka është bërë në këto vite. Një kthim pas, dramatik për rajonin dhe të ardhmen e tij.”.

Rama thotë se situata e tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë kërcënon interesin e Shqipërisë dhe e të gjithë rajonit.

“Nuk janë aspak skenarë të mirë për ne e për interesin tonë kombëtar, për Shqipërinë, si një vend që kërkon të përparojë.”.

Në fund të konferencës, Rama u përcolli një mesazh dy liderëve të Kosovës e Serbisë. (Luljeta Ndoka, TVM2)