Khan, anija që u përmbyt në Greqi kishte 350 pakistanezë

23.06.2023 18:58

Ministri i Brendshëm i Pakistanit, Rana Sanaulah Khan

Ministri i Brendshëm i Pakistanit, Rana Sanaulah Khan, ka deklaruar se rreth 350 pakistanezë ishin në bordin e anijes për peshkim, e stërmbushur me emigrantë, e cila u fundos në Greqi, më 14 qershor.

Ministri Khan tha se shumë prej tyre janë të zhdukur dhe mund të kenë vdekur në një nga incidentet më vdekjeprurëse në Detin Mesdhe.

Khan u tha deputetëve në Parlament se rreth 700 emigrantë ishin në anije, kur ajo u fundos. Vetëm 104 persona, përfshirë 12 pakistanezë, u shpëtuan dhe 82 trupa u nxorën.

Khan theksoi drojën se shumë nga pakistanezët e zhdukur kanë vdekur. “Deri më tani, 281 familje kanë kontaktuar me qeverinë duke thënë se djemtë ose të dashurit e tyre mund të kenë qenë në mesin e atyre që ishin në anije”, tha ai.

Aktualisht, zyrtarët po mbledhin mostra të ADN-së nga njerëzit që thonë se anëtarët e familjes së tyre ishin në anije, për të ndihmuar në identifikimin e trupave.

Pakistani po përjeton një nga krizat e tij më të rënda ekonomike, me inflacion deri në 45 për qind në muajt e fundit, ndërkaq shumë të rinj kanë rrezikuar rrugën e tyre drejt Evropës, për të gjetur punë më të mira.