Maqedoni

Ohër, shiu i rrëmbyeshëm me breshër ka shkaktuar dëme

24.06.2023 16:10

Stuhia e fortë e përcjellë me reshje të forta shiu, bubullima dhe breshër ka goditur Ohrin dhe rrethinën e tij...

Mëngjesin e sotëm, Ohri dhe rrethina u përfshinë nga një stuhi e fortë me rreshje të dendura të shiut dhe breshërit. Shiu i rrëmbyeshëm dhe breshëri përmbytën rrugët, duke bërë që uji të hyjë në dhomat tokësore dhe bodrumet e disa ndërtesave. Megjithatë, duket se dëmin më të madh e kanë pësuar zonat bujqësore. Banorët thonë se tek shtëpitë e tyre ka hyrë ujë dhe janë munduar që me kova të nxjerrin ujin.

“Ishte përmbytur, e gjithë rruga ishte plot, uji rridhte edhe këtu tek fqinjët kishte përmbytje.”, tha nje banor.

“Kemi kërkuar, nuk ka ardhur njeri, e kemi marrë vetë, kemi nxjerrë kova me ujë nga këtu. Hyri në korridor, ishte plot, korridori, brenda, unë jam në katin përdhes.”, u shpreh nje banor.

Pas stuhisë, shtabi komunal në Ohër kishte mbledhje dhe janë angazhuar të gjitha ndërmarrjet publike për t'u përballur me pasojat dhe kanë marrë mbështetje edhe nga shërbimi zjarrfikës. Përveç tejkalimit të problemit të rrugëve dhe banesave të përmbytura, ata pastruan hapësirat publike nga degët e rëna nga reshjet e dendura dhe erërat e forta.

“Natyrisht, dëmet janë shumë më të mëdha në tokat bujqësore dhe ajo që në Ohër tradicionalisht qershia e Ohrit ishte tashmë periudhë për vjelje, e më tej për shitje. Ende nuk janë formuar komisionet që do të vendosin për masën e dëmeve dhe besoj se këtu do të jenë dëmet më të mëdha.”, tha kryetari i komunës së Ohrit, Kirill Pecakov.

Në disa fshatra të Ohrit stuhia shkaktoi probleme me rrymën, ndërsa në disa pjesë të rrugëve vërehen rrëshqitje të dheut të shkaktuara nga shiu i rrëmbyeshëm. Pecakov njoftoi se situata do të normalizohet më së voni deri në orët e mbrëmjes. Ndërsa situatë e ngjajshme ishte edhe në Strugë, ku kishte rreshje të mëdha të shiut.

ILMIE ZHAKU