Botë
Fitoi zgjedhjet në Greqi, Mitsotakis: Mandat i fuqishëm për të ecur përpara
26.06.2023 08:43
Lideri i konservatorëve në Greqi, Kyriakos Mitsotakis, e ka mposhtur rivalin e tij të qendrës së majtë, Alexis Tsipras...

Lideri i konservatorëve në Greqi, Kyriakos Mitsotakis, e ka mposhtur rivalin e tij të qendrës së majtë, Alexis Tsipras dhe ka thënë se e ka “mandat të fuqishëm” për të ecur përpara në rrugën e ndryshimeve.
Të dielën, Greqia i ka mbajtur zgjedhjet e dyta parlamentare brenda një muaji. Partia Demokracia e Re e Mitsotakisit ka fituar 40.5 për qind të votave, që i japin 158 nga 300 vendet e parlamentit. Ai e ka mposhtur Syrizan edhe në maj, mirëpo i ka shpallur zgjedhjet e reja për të fituar shumicën e nevojshme për të qeverisur shtetin vetë.
“Demokracia e Re është sot partia më e fuqishme e qendrës së djathtë në Evropë”, u ka thënë Mitsotakis mbështetësve të vet në Athinë.
Mitsotakis njihet për rikthimin e stabilitetit në ekonominë e Greqisë dhe menaxhimin e borxheve. Ndonëse aktualisht shumë grekë vuajnë nga rritja e çmimeve të jetesës, ata kanë votuar për partinë që ka premtuar taksa më të ulëta dhe përmirësim të shëndetit publik. Partia e Tsiprasit, Syriza, ka humbur edhe më thellë sesa në zgjedhjet e kaluara, duke fituar rreth 18 për qind të votave.
