SHBA, arrestohen tre persona, donin të “fluturonin” drejt Sirisë
FBI ka arrestuar 3 persona të cilët pretendohej se do të “fluturonin” nga Nju Jorku drejt Turqisë, me shpresën për t’iu bashkuar ISIS-it në Siri...

Këtë e konfirmon një padi penale e bërë e ditur gjatë një seance gjyqësore në një gjykatë federale të Brooklynit, në Nju Jork.
Të dyshuarit, të identifikuar si Abdurasul Jaraboev, 24 vjeç, Akhror Saidakhmetov, 19 vjeç dhe Abror Habibov, 30 vjeç, përballen të gjithë me akuzën, ndër të tjera, të dhënies së ndihmës materiale për terroristët, bënë të ditur autoritetet.
“Rreziku nga ISIS-i po bëhet evident. Ne po shohim çfarë po ndodhë në Siri. Derisa vitet e kaluara aftësitë e terroristëve ishin të limituara, duket se aftësitë e tyre, përmes propagandës në mediat sociale, po rriten. Ata po inspirojnë individë të caktuar të udhëtojnë drejt Sirisë për të luftuar. Për ata që nuk kanë mundësi udhëtimi, ata po i inkurajojnë të kryejnë vepra terroriste atje ku jetojnë, kudo në SHBA, në Evropë. Nëse nuk gjeni dot armë, gjeni ndonjë bombë, merrni thikë ju thonë”- deklaroi zyrtari i Policisë në Nju Jork, Bill Bratton.
Autoritetet i vërtetojnë thëniet e tyre me publikimin e planit për sulme të tre të arrestuarve. Njëri prej tre personave të arrestuar ka folur mbi mundësinë e të shtënave ndaj presidentit amerikan, Barack Obama.
I dyshuari, Abdurasul Jaraboev, akuzohet se ka publikuar on-line një pyetje “A është e mundur të angazhohemi si martirë të dedikuar në ndonjë mënyrë për sa kohë jemi këtu? Ajo që dua të them është të qëllojmë Obamën dhe më pas të vetëvritemi, a mund të bëjmë diçka të tillë?”- ka shkruar Jaraboev në profilin e tij në rrjetet sociale, që inkurajon të rinjtë t’i bashkëngjiten ISIS-it. (Leunora Kaliqi, TVM2)
