Botë
Kralevë, lirohen nga paraburgimi tre policët e Kosovës
26.06.2023 13:45
Tre policët e Kosovës që u rrëmbyen nga forcat serbe më 14 qershor janë liruar nga Gjykata në Kralevë....

Tre policët e Kosovës që u rrëmbyen nga forcat serbe më 14 qershor janë liruar nga Gjykata në Kralevë. Rifat Zeka, Beqir Sefi e Mustafë Shemi u paraqitën para gjykatës në Serbi, e cila vendosi për lirimin e tyre. Lirimin e tre policëve e ka konfirmuar nëpërmjet një konference për media Gjykata e Kralevës, e cila thotë se të pandehurve u ndërpritet paraburgimi. Aktakuza kundër tyre është konfirmuar, por ata do të mbrohen në liri. Ministri i brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se Serbia vazhdon me lojërat e saja, pasi tre policët nuk janë liruar plotësisht, por vetëm u është ndërprerë paraburgimi për t’u mbrojtur në liri.
"Ndonëse lirimi i tyre sot është lajm i mirë, përndjekja e tyre nga Serbia do të vazhdojë në liri. Konfirmimi i aktakuzës dhe lirimi në procedurë të rregullt është vazhdim i orvatjeve të Serbisë për të mbuluar agresionin policor-ushtarak brenda territorit të Republikës së Kosovës. Policët tanë kanë qenë në detyrë zyrtare brenda territorit të Republikës dhe duke kryer detyrën e tyre në mbrojtje të integritetit, sovranitetit të vendit dhe luftim të kontrabandës. Ata duhet të lirohen pa kushte dhe Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për cenimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës.", ka theksuar Sveçla në reagimin e tij në Facebook.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehet i gëzuar që tre policët po kthehen në familjet e tyre, por thekson se ky rrëmbim është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut për çka Serbia duhet të qortohet.
“Edhe pse jemi të gëzuar që ata kthehen në familjet e tyre, ky rrëmbim konsiston në një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe duhet qortuar. Agresioni serb duhet të mbajë përgjegjësi.”, ka shkruar Kurti.
Ngjashëm është shprehur edhe ministrja e drejtësisë e Kosovës Albulena Haxhiu, sipas të cilës kidnapimi i tre policëve nuk kishte të bënte me drejtësi, por me agresionin e Serbisë në Kosovë.
"Lirimi nga paraburgimi në Serbi i tre policëve të Kosovës është lajm i mirë që dëshmon edhe më tej vërtetësinë për skemat e krijuara nga Beogradi, me qëllim destabilizimin në veri të vendit.", ka shkruar ministrja, Haxhiu.
Policët u arrestuan nga forcat serbe, brenda territorit të Kosovës gjatë patrullimit kufitar në pikën e quajtur Tresave/Bare, në përpjekje për të parandaluar krimin e organizuar dhe kontrabandën.
GYLTENE SINANI
