Maqedoni

Avokati i popullit: Kushtet në burgje janë çnjerëzore

26.06.2023 14:10

Vite më radhë, por edhe tani, Avokati i popullit alarmon për gjendjen serioze dhe jo humane...

Vite më radhë, por edhe tani, Avokati i popullit alarmon për gjendjen serioze dhe jo humane të kushteve nëpër burgjet e vendit me theks të veçantë në burgun më të madh, atë në Idrizovë. Dhoma të stërngarkuara, fjetje në dysheme dhe korridore, janë vetëm disa nga fotografitë që zyra e Avokatit të popullit i ka konstatuar dhe i ndau me opinionin.
 
Nuk mungojnë as ankesat për korrupsion dhe mungesa e shërbimeve mjekësore. Sipas Avokatit të popullit. kushtet në Burgun e Idrizovës çojnë në trajtim çnjerëzorë dhe degradues të personave të dënuar, ndërsa përpjekjet e autoriteteve për të luftuar torturën dhe keqtrajtimin janë më shumë deklarative sesa thelbësore. Për të tejkaluar problemin e mbipopullimit, shumë shtete praktikojnë amnestimin, u shpreh Ziberi.
 
“Një situatë seriozisht shqetësuese u konstatua edhe në të ashtuquajturin krahu i katërt, ku ditën e vizitës ishin vendosur  gjithsej 124 persona të dënuar, nga të cilët 36 persona flinin në dyshek në dysheme në korridor të krahut dhe përdornin një tualet të përbashkët. Në hapësirat ku ishin të vendosur të dënuarit e tjerë nuk ishte më mirë duke qenë se në njërën prej dhomave me sipërfaqe  19m katror ishin vendosur 13 persona.”, - deklaroi Avokati i popullit, Naser Ziberi.
 
Avokati i popullit: Spitalet psikiatrike me probleme të theksuara
 
Probleme të theksuara janë konstatuar edhe në dy institucionet psikiatrike, spitali në Shkup dhe ai në Demir Hisar. Ka mungesë të higjienës, personelit mjekësorë, aktivitete rehabilituese dhe terapeutike. E gjithë kjo tregon për një sistem tërësisht jofunksional, shtoi Ziberi.
 
“Konfliktet ndërmjet pacientëve në repart janë shumë të shpeshta, në raste të caktuara grindjet verbale kanë rezultuar edhe me sulme të ndërsjella fizike. Gjatë vizitës në një nga dhomat e punës së personelit u gjetën rripa lëkure për fiksim, të cilat u theksua se nuk ishin në përdorim, si dhe një zinxhir metalik me dry për të mbyllur dhomat kur ka pacientë të shqetësuar. Në një dhomë tjetër është vënë re edhe një kabllo e fortë e trashë me gjatësi prej 1 metër.”, - theksoi Avokati i popullit, Naser Ziberi.
 
Akoma nuk zbatohet detyrimi për të siguruar arsimim për çdo person të dënuar me burg dhe çdo fëmijë, të cilit i është shqiptuar masa edukative korrektuese. Personat e privuar nga liria edhe më tej ballafaqohen me mungesën e mundësisë për ta shfrytëzuar të drejtën e avokatit me shpenzime buxhetore.
 
FLORIJE KAMBERI