Botë
Marrëdhëniet Kosovë-Serbi, Rama me propozim të ri në Bruksel
26.06.2023 14:28
Pas paraqitjes të draftit për asociacionin, kryeministri Edi Rama ka një propozim të ri për normalizimin...

Pas paraqitjes të draftit për asociacionin, kryeministri Edi Rama ka një propozim të ri për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, në kushtet kur tensionet janë të forta.
“Do t’i përcjell mikut tonë shqetësimet e mëdha për situatën kritike në rajon dhe bindjen time mbi domosdoshmërinë e një konference pa afat kohor, ku të mbyllur brenda mureve të një strukture mikpritëse nën kujdesin e bashkësisë euro-atlantike, liderët e Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllin krejt pikat e marrëveshjes së normalizimit.”, - deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Lirimin e 3 policëve nga autoritetet serbe, Rama e quajti një lajm të vonuar.
“Më vjen mirë që forca e arsyes fitoi mbi arsyen e forcës. Uroj që me forcën e arsyes të nisë menjëherë de-eskalimi i shumëpritur nga të gjithë dhe të zgjidhim më tej edhe nyjet e procesit të normalizimit përfundimtar mes Kosovës e Serbisë.”, - vijon kryeministri Rama.
Ai paralajmëron se degradimi i situatës në veri, mund të kthehet në një Donbass në qendër të Ballkanit, ndaj një zgjidhje është emergjente. Për lirimin e tre policëve reagoi edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili tha se kjo ndodhi për meritë të ShBA-ve e BE-së dhe jo të Ramës.
Edhe për ish-presidentin Ilir Meta, lirimi i tre policëve të Kosovës, i jep fund një akti tepër të rëndë provokativ.
LULJETA NDOKA
