Maqedoni
Rritja e pagave për punonjësit e DAP-it, Bytyqi: Kërkojmë zgjidhje, grevë nuk do të ketë
26.06.2023 15:10
Të enjten në Këshillin Ekonomik Social do të diskutohet për rritjen e pagave të të punësuarve në Drejtorinë e të Ardhurave Publike....

Të enjten në Këshillin Ekonomik Social do të diskutohet për rritjen e pagave të të punësuarve në Drejtorinë e të Ardhurave Publike. Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, është optimist se do të gjendet një zgjidhje për të rritur pagat e tyre. Ai nuk pret të organizohet grevë të përgjithshme në DAP.
“Mendoj se punonjësit e DAP-it, si dhe të gjithë punonjësit e tjerë në sektorin publik, meritojnë të kenë dinjitet në vendet e tyre të punës, si dhe të marrin paga dinjitoze. Ne jemi të gatshëm të bisedojmë. Për atë arsyje, të enjten është caktuar mbledhja e Këshillit Ekonomik Social, ku do të shqyrtojmë Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive së bashku me metodologjinë e re të përllogaritjes së pagave të tyre, ku një pjesë e zgjidhjes së kësaj çështjeje tashmë dihet se është pikërisht tek kjo metodologji.”, - deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.
Edhe të punësuarit e DAP-it shpresojnë se ekzekutivi do të pranojë kërkesat e tyre për rritjen e pagave të tyre të përllogaritur në bazë të metodologjisë së re dhe koeficientit të të punësuarve.
“Sinqerisht, po shpresojmë se do të ketë zgjidhje pozitive, sepse kërkesat tona janë në përputhje me ligjin dhe marrëveshjes kolektive ku në mënyrë qartazi po garantohet e drejta jonë për të pasur rritje pagash.”, - theksoi Vase Nedanovski nga Sindikata e DAP-it.
Rreth 1.000 të punësuar në Drejtorinë e të Ardhurave Publike për çdo ditë po protestojnë me nga dy orë në vendet e tyre të punës.
REXHEP QAMILI
