Blerja e biznes qendrës “Soravia”, Drin Ahmeti: Nuk kam hyrë vetëm, por me afaristë të tjerë
Pasi në opinion u dëgjua lajmi...

Pasi në opinion u dëgjua lajmi se nipi 25-vjeçar i liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, Drin Ahmeti, po blen biznes-qendrën Soravia, e cila ndodhet në zemër të Shkupit, Në një konferencë për media, Drin Ahmeti, shpjegoi detajet e marrëveshjes për marrjen nën kontroll të qendrës tregtare.
Ai, deklaroi se në biznesin “Soravia”, nuk hyn i vetëm, por me afaristë të tjerë nga Shqipëria, me Vladimir Pietergjokaj, pronar i “PE-VLA-KU Sh.P.K.” dhe Hanno Soravia, themelues “Soravia Group GmbH”, ndërkohë që ai posedon kompaninë “Tor Industries” DOOEL.
“Që nga viti i kaluar, ne shprehëm synimin tonë me partnerët tanë dhe filluam analizimin e dokumenteve nga kompania “Soravia”, nga të cilat rezultonte se “Soravia” ka disa vite që funksionon me humbje dhe ka borxhe. Ne pamë një mundësi për biznes, u konsultuam me partnerin nga Shqipëria, një njeri që ka disa biznese në Shqipëri dhe së bashku me të vendosëm ta shfrytëzojmë këtë mundësi.”, - deklaroi nipi i Ali Ahmetit, afaristi, Drin Ahmeti.
Drin Ahmeti, nipi i vëllait të Ali Ahmeti, Fekriut, është pronar i kompanisë së zhvillimit të projekteve ndërtimore “Tor Industries” që nga viti 2020. Ndryshe, Drin Ahmeti është edhe bashkëpronar i kompanisë “Everest JD”, e cila ka koncesion aktiv për shfrytëzimin e gurit gëlqeror në lokalitetin “Bukoviq” në Zajas.
Nga VMRO-DPMNE, thonë se nipat e Ali Ahmetit nuk janë favorizuar vetëm në biznes, por edhe në diplomaci, duke përmendur vëllain e Drin Ahmetit, Besian Ahmetin për emërimin, sipas tyre, pa asnjë kriter si sekretar i parë në Ambasadën e Maqedonisë në Bruksel.
“Nipi i dytë i Ali Ahmetit, vëllai i Drin Ahmetit, Besian Ahmeti, hiç më larg se para tre muajsh u emërua si sekretari i parë në Ambasadën e Maqedonisë në Bruksel. Besian Ahmeti më 16 maj, 2022, u punësua në Ministrinë e Ekonomisë, në pozicionin e punës si i punësuari më i ri, për monitorimin dhe ndjekjen e marrëveshjeve për koncesion të mineraleve, 10 muaj më pas më 16 mars 2023, u emërua si sekretari i parë"- theksoi Dragan Kovaçki nga VMRO-DPMNE.
VMRO-DPMNE kërkon përgjegjësi nga MPJ, Bujar Osmani, për të cilin konsideron se është përgjegjës për këtë emërim.
Osmani: Pretendimet e VMRO-së, gënjeshtra
Ndërkohë, Osmani i mohon akuzat e VMRO-së, duke i quajtur gënjeshtra, me synim tendencioz për të dëmtuar diplomacinë. Ai thotë se emërimi i Besian Ahmetit është në përputhje me rregullativën ligjore.
“Në përputhje me rregulloret ligjore, si këshilltarë ekonomikë, përveç diplomatëve të punësuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe me kërkesë të departamenteve të tjera ekonomike, dërgohen edhe punonjës në ministri të tjera, siç janë Ministria e Ekonomisë, Ministria e bujqësisë etj.; ku ligjërisht është përcaktuar se në këtë rast këshilltarët ekonomikë dërgohen me titull diplomatik – sekretar i parë.”, - u shpreh ministër i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
Sipas Osmanit, personi në fjalë i plotëson të gjitha kriteret dhe është përzgjedhur pas një konkursi të brendshëm të shpallur më parë në institucionin ku është i punësuar. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)
