Maqedoni

Ndryshimet kushtetuese, Kovaçevski: Mickoski s’mund të mbajë peng shtetin

26.06.2023 15:49

Ende nuk ka një datë të caktuar për seancën e Qeverisë në të cilën do të vihen në rend dite ndryshimet kushtetuese...

Ende nuk ka një datë të caktuar për seancën e Qeverisë në të cilën do të vihen në rend dite ndryshimet kushtetuese, bën të ditur kryeministri, Dimitar Kovaçevski. Edhe pse VMRO-DPMNE-ja vazhdon të këmbëngulë se ndryshime kushtetuese në diktat bullgar nuk do të ketë, Kovaçevski beson se edhe VMRO-DPMNE-ja do të bashkohet në marrjen e vendimit për ndryshimet kushtetuese gjatë periudhës së ardhshme.
 
“Duhet vendin ta fusim në Bashkimin Evropian, kështu që ne këtë proces nuk do ta ndalim, sepse kemi obligim ndaj qytetarëve. Nëse ai e ka më të rëndësishëm rejtingun e tij personal, karrierën e tij personale dhe nëse dikush ka vendosur të mbajë peng një parti të tërë, nuk mund të mbajë peng një shtet të tërë.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Koleva: Ftojmë partitë t’i bashkëngjiten procesit
 
Social-demokratët ftojnë të gjitha partitë politike që të përfshihen rreth ndryshimeve kushtetuese. Sipas tyre, VMRO-DPMNE dhe Mickoski për herë të parë kanë shans që të bëjnë një lëvizje shtetërore. 
 
“LSDM do të bëjë gjithçka dhe u bën thirrje të gjitha partive relevante politike që t'i bashkohen procesit, për të siguruar anëtarësimin në BE. Le të ndërtojmë së bashku një të ardhme ku të rinjtë tanë mund të realizojnë ëndrrat e tyre, ku ekonomia jonë lulëzon dhe ku fuqizohen vlerat tona demokratike. Pasi kanë ndryshuar qëndrim dhe nuk janë kundër amendamenteve kushtetuese, DPMNE duhet të mbetet në proces, dialogu për amendamentet kushtetuese të vazhdojë dhe së bashku të marrim vendimin për të ardhmen evropiane të vendit.”, - theksoi Daniela Koleva nga LSDM-ja.
 
Por, nga partia e Mickoskit ripërsërisin se qëndrimi i VMRO-DPMNE-së dhe grupit parlamentar për amendamentet kushtetuese është temë e mbyllur, nuk do të ketë ndryshime kushtetuese nën diktimin bullgar. Ata thonë se nëse pushteti realisht kërkon zgjidhje, le të tregojnë se cili nga propozimet e VMRO-DPMNE-së pranohet. Edhe partitë opozitare shqiptare Besa dhe Alternativa janë kundër ndryshimeve kushtetuese, nëse nuk pranohet kërkesa e tyre që 20%  të hiqet nga Kushtetuta. 
 
SANIJE DURAKU