Maqedoni

Prokuroria Republikane kontroll në gjykatën në Strugë, Këshilli Gjyqësor: Tre anëtarë do të vizitojnë Gjykatën në Strugë

26.06.2023 16:10

Akuzat e Departamentit Amerikan të Shtetit për korrupsion të theksuar dhe ndikim në procedura gjyqësore...

Akuzat e Departamentit Amerikan të Shtetit për korrupsion të theksuar dhe ndikim në procedura gjyqësore nga ana e kryetarit të Strugës, Ramiz Merko, ka futur në veprim Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorinë Republikane. Për ta konstatuar gjendjen faktike,  PTH e Strugës e kanë vizituar 4 prokurorë republikan, ndërsa gjatë ditës së nesërme vizitë do të realizojë edhe Komisioni tre anëtarësh nga Këshilli Gjyqësor.
 
"Komisioni prej 4 prokurorëve publik nga Prokuroria Republikane e RMV-së sot po realizon mbikëqyrje të veprimeve në lëndët e PTHP-së Strugë dhe Prokurorinë e lartë Manastir. Pas gjitha kontrolleve komisioni do të përgatisë raport.",  theksojnë nga Prokuroria Publike.
 
"Ju njoftojmë se gjatë ditës së nesërme, komisioni tre anëtarësh i udhëhequr nga koordinatori për Gjykatën e Strugës z. Milazim Mustafa, do ta vizitojë Gjykatën e Strugës dhe do të bisedojë me gjykatësit e kësaj gjykate për të kontrolluar nëse ka pasur presione, në afat sa më të shkurtër do të përgatitet raporti, i cili do t'u prezantohet anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, por edhe publikut.", njoftojnë nga Këshilli Gjyqësor.
 
Një javë pasi Merko u fut në listën e zezë të ShBA-ve, ai sot përmes profilit në FB ka theksuar se do të dorëzojë çdo dokument që do ta kërkojnë organet hetuese.
 
"Pas zhvillimit të fundit në lidhje me vendimin e Departamentit të Shtetit Amerikan, nuk kam dashur të komunikoj në të mirë të proceseve për të cilat do të jem i hapur si çdo herë në përkrahje të drejtësisë dhe për secilin proces në organet e drejtësisë nga ana e Institucionit të Komunës së Strugës dhe nga ana ime do të dorëzohen në kohë sa më shpejt ashtu siç kam qenë transparent çdoherë për organet e drejtësisë dhe gjitha institucionet e tjera.", ka shkruar Merko. 
 
FLORIJE KAMBERI