Botë

Lirimi i policëve nga Kosova, Osmani: Tani palët t’i kthehen normalitetit

26.06.2023 16:35

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, njëherit edhe kryesues i OSBE-së...

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, njëherit edhe kryesues i OSBE-së, ka mirëpritur lirimin e policëve të Kosovës, të rrëmbyer nga Serbia. Ministri Osmani ftoi Kosovën dhe Serbinë për zbatimin e udhërrëfyesit të propozuar nga ai për de-eskalim dhe normalizim të marrëdhënieve midis dy shteteve.
 
“Si kryetar i radhës i OSBE-së, mirëpres vendimin për lirimin e tre policëve të Kosovës dhe u bëj thirrje palëve që të fillojnë zbatimin e udhërrëfyesit të cilin e propozova për de-eskalim dhe normalizim.”, ka shkruar Osmani në profilin e tij në Facebook.
 
Plani i Osmanit, i publikuar më 4 qershor për normalizim të situatës në Veri të Kosovës parashikon nëntë veprime me qëllim rikthimin e stabilitetit në veri, kthimin e serbëve në institucione dhe kyçjen në proceset demokratike.
 
Gjykata në Kralevë mori vendim për lirimin e tre policëve të Kosovës që ishin rrëmbyer nga forcat serbe me 14 qershor. Arrestimi i tre policëve kishte nxitur reagime të shumta, ku u kërkua lirimi i menjëhershëm dhe pa kushte.
 
MERAL ISMAILI