SHGM: Të japin dorëheqje Gruevski, Jankullovska dhe Mijallkov
Përgjimi i gazetarëve është shkelje e rëndë e rendit kushtetues dhe e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, vlerësojnë nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë...

SHGM-ja është e shqetësuar për të gjitha audio-incizimet e publikuara në opinion dhe kërkon nga kryeministri Gruevski, ministrja e Brendshme, Jankullovska dhe drejtori i DZK-së, Mijalkov, të japin dorëheqje.
“Dhunimi i gazetarëve dhe i lirisë së shtypit në shoqëri demokratike nuk kalon pa u ndëshkuar. Ftojmë prokurorin publik seriozisht t’i shqyrtojë dëshmitë e publikuara nga përgjimi i gazetarëve dhe të ngrejë procedura të duhura. Kryeministri, Nikolla Gruevski, ministrja e Brendshme, Jankullovska dhe drejtori i DZK-së, Sasho Mijalkov, patjetër të mbajnë përgjegjësi politike pa dallim kush i ka porositur përgjimet. Ata kanë pasur obligim ligjor të parandalojnë shkeljen masive të të drejtave dhe lirive të njeriut”- deklaroi kryetari i SHGM-së, Naser Selmani.
Sipas SHGM-së, skandali i fundit i përgjimit të gazetarëve bëri publike të fshehtën që dihej tashmë nga të gjithë. Pushteti me paratë e qytetarëve blen mediat më me ndikim për nevoja propagandistike ditore të pushtetit. Fushatat qeveritare janë mjet për t’i mundësuar pushtetit të kontrollojë lajmet e televizioneve, thonë nga SHGM-ja.
“Skandali i përgjimeve komprometoi tërë sistemin mediatik në vend, duke e paraqitur atë me fytyrën e vërtetë, si të korruptuar dhe tërësisht të varur nga politika. Mediat nuk informojnë, por janë mjet për manipulimin e qytetarëve. Ky keqpërdorim i mediave duhet të pushojë menjëherë e të sanksionohet”- tha Selmani.
Nga SHGM-ja theksojnë se do të ndjekin me shumë seriozitet procesin e përgjimeve të gazetarëve dhe zbardhjen e rastit në tërësi. Ata nuk e përjashtojnë faktin që në të një të ardhme të afërt të organizojnë edhe protesta në Shkup. Zgjidhja e vetme, sipas tyre, në këtë rast është vendosja e një sistemi të ri mediatik dhe mekanizma të rinj të kontrollit në sistemin politik, të cilët në këtë rast do të garantonin pavarësinë dhe lirinë e mediave. (Rexhep Qamili, TVM2)
