Kuvend, Lloga takon koordinatorët e GP-së
Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga....

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, ka takuar koordinatorët e grupeve parlamentare në Kuvend, ku janë diskutuar çështjet aktuale në fushën e drejtësisë.
Në takimin me koordinatorët e grupeve parlamentare të LSDM-së, të VMRO DPMNE-së, të BDI-së dhe të Aleancës të Shqiptarët është diskutuar për situatën me Këshillin Gjyqësor dhe mundësinë e ndryshimeve ligjore për të tejkaluar problemet me të cilat ballafaqohet ky institucion.
“Javën e ardhshme, për herë të parë do të mbahet me prezencë fizike seanca e Këshillit për Reformat në Sistemin Gjyqësor, ku do të shqyrtohet Strategjia e Zhvillimit të Gjyqësorit 2023-2027. Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, i ka bërë ftesë VMRO DPMNE-së për të marrë pjesë në seancë dhe për të dhënë komente për strategjinë.”, thuhet në kumtesë.
Lloga ka informuar koordinatorët për agjendën legjislative, mundësinë e miratimit të ligjit për amnisti sipas shembullit të vitit 2018, për krimet e lehta, i cili do të mundësojë lehtësimin e burgjeve. Janë hapur edhe temat e ligjit për falje, AOT, ASK, Prokuroria Publike, Kadastra, të drejtat e fëmijëve.
Sipas ministrisë së Drejtësisë, koordinatorët e grupeve parlamentare kanë shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm.
